Dita më e ftohtë në Korçë, temperaturat minus 14 gradë

schedule15:48 - 8 Janar, 2019

schedule 15:48 - 8 Janar, 2019

Disa shkolla në Korçë janë mbyllur për shkak të temperaturave të ulëta, kurse në qytet orët janë reduktuar dhe mësimi nisi me vonesë. Por pavarësisht kësaj prindërit kanë kërkuar mbylljen e tyre deri në largimin e acarit.

E marta ka shënuar ditën më të ftohtë të dimrit në juglindje. Temperaturat zbriten në 14 gradë nën zero. Si pasojë e motit ekstrem, Drejtoria Arsimore ka vendosur mbylljen e shkollave në fshatrat Orman dhe Sheqeras, kurse në shkollat e tjera, mësimi u bë me orë të reduktura.

Kristaq Grabocka, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Arsimit: “Ne kemi vendosur që në gjithë qarkun e Korçës mësimi do fillojë në orën 9. Lënda ngrohëse nuk mungon”.

Ndjekja e procesit mësimor ka qenë e vështirë për nxënësit edhe pse shkollat kanë pasur ngrohje. Prindërit kërkuan mbylljen e shkollave gjatë ditëve te ftohta.

Nxënës të shkollës Sotir Gurra, Korçë: “Sot kam ardhur në orën 8 kam pasur shumë ftohtë. Kemi dy kaldaja, por klasa është e ftohtë”.

Prind: “E mira është t’i zëvendësojnë me të shtuna më vonë”.

Duke filluar nga e mërkura dhe deri të premte, mësimi në shkollat e juglindjes do të fillojë në orën 9:00. /abcnews.al