Dita e zbarkimit, liderët perëndimorë vlerësojnë kurajën dhe sakrificën

schedule19:15 - 5 Qershor, 2019

schedule 19:15 - 5 Qershor, 2019

Mbretëresha Elizabeth dhe liderët e 16 vendeve perëndimore kanë përkujtuar ditën e zbarkimit të aleatëve në Normandi. Të pranishmit në këtë event kanë vlerësuar sakrificën e trupave aleate 75 vjet më parë dhe kanë nënshkruar një deklaratë ku zotohen për të zgjidhur në rrugë paqësore tensionet ndërkombëtare.

Mbretëresha Elizabeth i ka bërë homazhe të mërkurën heroizmit, kurajës dhe sakrificës së njerëzve që humbën jetën ditën e zbarkimit, e njohur ndryshe si dita D.

Monarkja, e shoqëruar nga 16 liderë botërorë, përfshirë presidentin Donald Trump, ishte në Portsmuth për të përkujtuar 75-vjetorin e operacionit më të madh aleat në histori, që veproi në tokë, det dhe ajër. Trump, në ditën e fundit të vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar, deklaroi se dita D mund të ketë qenë beteja më e madhe e të gjitha kohërave. Në ceremoni ishin të pranishëm gjithashtu veteranë që zbarkuan në Normandi për të çliruar Europën perëndimore.

Duke cituar një fjalim të të atit, mbretit Xhorxh i Gjashti në kohën e Luftës së Dytë Botërore, mbretëresha tha se veteranët e ditës së zbarkimit treguan më shumë se kurajë dhe qëndresë, por vendosmëri të pamposhtur.

“Fati i botës varej në suksesin e tyre. Shumë prej tyre nuk u kthyen më, por heroizmi dhe sakrifica e atyre që humbën jetën nuk do të harrohet kurrë”, deklaroi mbretëresha Elizabeth. Ajo i falënderoi veteranët me përulje dhe kënaqësi në emër të të gjithë kombit, si dhe të gjithë botës së lirë. Ndërkohë, përfaqësuesit e vendeve të pranishëm në event ranë dakord të nënshkruanin një deklaratë të përbashkët, për t’u siguruar që “tmerri i paimagjinueshëm” i luftës të mos përsëritet më.

Në dokumentin e quajtur “Deklarata e Ditës D”, 16 vendet firmëtare, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, zotohen të punojnë së bashku për të zgjidhur në rrugë paqësore tensionet ndërkombëtare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!