Dita e Rinisë/ Presidenti Begaj: Studentët progresistë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë

schedule09:35 - 8 Dhjetor, 2024

schedule 09:35 - 8 Dhjetor, 2024

Në Ditën Kombëtare të Rinisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përkujtoi lëvizjen studentore antikomuniste të dhjetorit ’90, që shënoi fillimin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.

Në një mesazh të posaçëm, Presidenti Begaj nderon të gjithë të rinjtë që 34 vjet më parë u ngritën kundër regjimit diktatorial dhe frymëzuan lëvizjen popullore, e cila çoi në rrëzimin e komunizmit.

Presidenti Begaj vlerëson guximin e atij brezi studentësh me vizion Perëndimor, që kërkonin liri e demokraci, ndërsa shprehet se “sot festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”.

“Sot, – shkruan Presidenti i Republikës, – të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Mesazhi i plotë i Presidenti i Republikës, Bajram Begaj:

“34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë.

Lëvizja popullore, që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët. Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.

Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë.

Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”

Nder përjetë!”

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!