Dita e Pavarësisë së Ukrainës/ Begaj mesazh urimi Zelenskyt: Shqipëria, qëndrim të palëkundur ndaj integritetin tuaj territorial

schedule08:38 - 24 Gusht, 2023

schedule 08:38 - 24 Gusht, 2023

Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar një telegram urimi homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskyy për Ditën së Pavarësisë së Ukrainës. Begaj përmend marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve që shënojnë në 30-vjetorin e tyre. Me këtë rast, shton Begaj, Shqipëria do të shtojë nivelin e pranisë diplomatike në Kiev.

Presidenti rithekson qëndrimin e palëkundur ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Begaj shton gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB pasi të dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta euroatlantike.

“I nderuar Zoti President!

Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta.

Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë. Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.

Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës. Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.

Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin Tuaj, Ju lutem pranoni Zoti President, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!