Sot dhe nesër (11 dhe 12 korrik), udhëheqësit e shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior do të takohen në Vilnius të Lituanisë, për t’i adresuar sfidat më urgjente për aleancën, për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s, si dhe për ta sjellë më afër grupit Ukrainën, sipas aleancës.
Në ditën e parë të samitit të NATO-s, do të marrë pjese edhe kryeministri i Zelandës se Re. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka mbajtur një fjalim të shkurtër duke mirëpritur kryeministrin e Zelandës së Re dhe duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe ndihmën që ka dhënë për Ukrainën.
“Zelanda e Re është një partner shumë i vlerësuar i NATO-s dhe ne e vlerësojmë shumë faktin që tani po merrni pjesë në Samitin e NATO-s në Vilnius. Për NATO-n është e rëndësishme të forcojmë më tej partneritetin tonë me një partner si Zelanda e Re, sepse siguria nuk është rajonale, siguria është globale.
Ajo që ndodh në Indo Paqësor ka një rëndësi të madhe për Europën, për NATO-n, dhe ajo që ndodh në Europë ka rëndësi për Indo-Paqësorin.
Dhe ne po shohim se si lufta në Ukrainë ka pasoja globale. Dhe unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen tuaj për Ukrainën. Sepse diçka e tillë bën një ndryshim.
Unë mirëpres gjithashtu mbështetjen tuaj për misione dhe aktivitete të ndryshme të NATO-s. Dhe unë e mirëpres faktin që tani jemi në gjendje të forcojmë më tej partneritetin tonë edhe në fusha si ndryshimet klimatike, kibernetike dhe teknologjitë e reja.
Dhe mezi pres ta forcojmë më tej partneritetin tonë.
Edhe një herë, mirë se vini,” tha Stoltenberg.
/abcnews.al