Dita e krijimit të ushtrisë së Kosovës, KFOR patrullon në urën e Ibrit

schedule12:02 - 14 Dhjetor, 2018

schedule 12:02 - 14 Dhjetor, 2018

Forca ushtarake të kontigjentit austriak të KFOR janë vendosur mëngjesin e sotem në Urën e Ibrit nga ku po monitorojnë situatën në veri të Kosovës. Ndërkohë banorët serbë në këtë pjesë të Kosovës kanë vendosur flamuj serbë kudo, në shtëpi, lokale dhe shtylla.

Mediat serbe vijojnë të raportojnë për forcat të KFOR dhe automjete që janë vendosur në veri të Kosovës, ditën ku në parlamentin e Kosovës votohet për krijimin e ushtrisë. Tanjug shkruan se në hyrje të Urës së Ibrit janë vendosur ushtarë të kontigjentit austriak të KFOR-it.

Mbështetjen për krijimin e Ushtrisë e kanë dhënë të gjitha shtetet aleate, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Britanin e Madhe dhe gjithashtu edhe NATO e KFOR-i.

Nga ana tjetër, veriu i Mitrovicës është zgjuar mëngjesin e sotëm i mbushur me flamuj serbë.

Burime të agjencisë së lajmeve KosovaPress bëjnë të ditur se mijëra flamuj serb kanë hyrë pasditen e të enjtes nga Serbia në territorin e Kosovës dhe janë vendosur nëpër institucione e shtylla të rrugëve të veriut, ndërsa u janë shpërndarë qytetarëve serbë të kësaj zone si edhe nëpër shtëpi.

Mësohet se e gjithë kjo situatë në veri po zhvillohet si kundërpërgjigje nga ana e serbëve në lidhje me votimin e projektligjeve për formimin e Ushtrisë së Kosovës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!