Dita e grurit festohet me këngë e valle

schedule15:45 - 23 Qershor, 2019

schedule 15:45 - 23 Qershor, 2019

Në Pojan të Fierit, Festa e Grurit është kthyer në tradite. Në këtë ditë këndohet e kërcehet ndërsa sipas traditës pulat e detit piqen në saç.

Pojani i Fierit, një nga 100 fshatrat turistike shqiptare, u kthye në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare. Dita e grurit, mblodhi bashkë me qindra banorë, të zonës. Myzeqesë si dikurshme mund t’i jenë ulur statistikat e sipërfaqeve me grurë, por jo këngët, vallet dhe gatimet që lindën 50 vite më parë dhe nuk u shuan kurrë.

Është Qershor dhe në Myzeqe, ky muaj është nga më të rëndësishmit për ekonominë bujqësore. Edhe pse në sipërfaqe më të vogla, rrallë gjen familje rurale fierake të mos kultivojë grurë.

Midis legjendave të dikurshme për sigurimin e bukës së përditshme, të garantimit të një ekonomie të qëndrueshme familjare, e përcjellë mes një gëzimi të pashoq folklorik dhe gastronomik, në Pojan të Fierit u festua Festa e Grurit.

“Festa është krejt e veçantë pasi vjen nga ajo që është thelbi i jetës, gruri, buka, nga mirëqenia, nga ajo çfarë përpiqemi të gjithë sëbashku për të krijuar më shumë mirëqenie për njerëzit dhe komunitetet”, tha Blendi Klosi.

“Ne do ta vazhdojmë këtë gjë edhe në muajt në vijim, edhe në vitet në vijim dhe duam që të promovojmë të gjitha vlerat e vendit tonë”, tha kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi.

Aq i rëndësishëm është prodhimi i grurit dhe bukës në Myzeqe, saqë vit pas viti, myzeqarët e Fierit i krijuan gati një festival të tërë folklorik me këngë edhe valle.

Madje myzeqarët, për këtë festë, krijuan edhe një nga recetat kulinare më autentike dhe më me shije: bibën në saç. Gatuhet vetëm këtu dhe sapo bie drapri i parë në fushat me grurë.

Biba në saç shoqëron gjithë fushatën e korrjes dhe shirjes së grurit dhe ikën bashkë me të. Gatuhet në çdo familje myzeqare që korr grurë, ndërsa në restorantet tradicionale, për një muaj qëndron në top menynë e tyre.

Festa e Grurit, me një histori gati 50-vjeçare në Myzeqe, i solli të gjitha si dikur: bukën dhe grurin e ri, lëmin e fshatit dhe mekanikën, këngët dhe vallet, bibën në saç dhe dhallën e ftohtë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!