Do të luhet sonte në Spanjë, ndeshja më e madhe e futbollit europian, ajo mes Realit dhe Barcelonës. Një “El Clasico” e veçantë, me madrilenët që nuk mund të gabojnë në përballjen me Lionel Mesin.
Momenti është vërtet shumë delikat. Reali i Madridit është jashtë Kupës së Mbretit, është me një këmbë jashtë Ligës së Kampionëve, dhe gjithë sezoni mund të shkatërrohet nëse humbet edhe sot, në El Clasico, sepse mbetet 5 pikë prapa Barcelonës. Në kampionat u barazua me Seltën e Vigos, në Kupë, u eliminua pas humbjes 3-4 me Sociedadin, ndërsa në Champions është pranë eliminimit pas disfatës 1-2 ndaj Mançester Sitit.
“Është një moment i vështirë për ne, sepse kemi 3 ndeshje që nuk fitojmë në stadiumin tonë, – thotë trajneri Zinedin Zidan, – gjithsesi, ata që e njohin futbollin, e dinë se këto gjëra mund të ndodhin. Kemi nevojë të jemi të bashkuar, po ashtu kemi nevojë për mbështetjen e plotë të tifozëve, të cilëve u premtojmë se do të japim gjithçka. Kritikat janë normale, por unë besoj se lojtarët e mi janë më të mirët në botë dhe se do të dinë të reagojnë. Kjo ndeshje nuk e përcakton titullin”.
Madrilenët nuk deshën të jepen të dorëzuar dhe në ditët e orët para duelit të madh u shfaqën me besim dhe krenarë duke theksuar traditën e madhe të klubit. Zidan nuk pritet të ketë mungesa të rëndësishme, me përjashtim të Hazardit të dëmtuar. Në mesfushë konfirmohen Kasemiro e Valverde, ndërsa ulet në stol Modriç ose Isko, për t’i bërë vend Toni Krosit.
Pati shqetësim në Madrid, pasi u publikuan pamjet filmike të bisedës së mesfushorit gjerman me trajnerin e Sitit, Pep Guardiola. Barcelona duket më e qetë, por gjithkush e di se nuk gëzon formën e duhur. Barazimi 1-1 në Napoli për Champions nuk ngrohu aspak, edhe pse rriti shanse për kualifikim.
Pike rikuperohet nga dëmtimi i pësuar, pikërisht në atë ndeshje, dhe pritet të jetë titullar. Po ashtu, Zhordi Alba hyn në listë, ndonëse nuk dihet nëse mund të luajë. Mungesat e katalanasve, sidoqoftë, mbeten të rëndësishme, sidomos me sulmuesit Suarez dhe Dembele. Trajneri Kike Setien do të debutojë në “El Klasiko”, ashtu siç debutoi edhe në Ligën e Kampionëve, mesjavën e kaluar.
“Kjo ndeshje është më e rëndësishme për Madridin sesa për ne, ndonëse edhe do të ishte një ditë e shënuar nëse do të fitonim, – u shpreh Setieni, – Pres një ndeshje shumë të ekuilibruar, le të shohim kush do ta meritojë më shumë për ta fituar. Do të luajmë me guxim, si në çdo ndeshje, do të jemi në sulm, edhe pse Madridi është një skuadër të cilën e respektoj shumë. Nuk dua të flas për formacionin, pasi gjithçka mund të ndodhë”.
Gazetat e ngrenë edhe më shumë temperaturën. “Marka”: Dueli për La Ligën! “Bernabeu” mund të përcaktojë fatin e titullit, Reali del në krye nëse fiton, Barça shkëputet nëse ia del!
“El Mundo Deportivo”: Rasti i madh! Barça mund ta lerë përfundimisht prapa Madridin nëse fiton një El Clasico apasionues! Mesi është “terrori” i “Bernabeut”! Gjithsesi, kapiteni katalanas ka 5 ndeshje që nuk ia del në derbin me Realin, plot 336 minuta pa shënuar.
Për herë të fundit, tundi rrjetën në maj 2018, dhe kjo ndodhi në “Kamp Nou”, por sidoqoftë argjentinasi do të thyejë sot rekordin e Ksavit, me 43 “El Clasico” në karrierë. Fitorja do të thoshte 5 pikë diferencë me Realin, që bashkë me bilancin direkt pozitiv, do të shkonin në 6 pikë. /abcnews.al