Dita e dytë e samitit të G7, çfarë sanksionesh mund të vendosen ndaj Rusisë

schedule12:14 - 27 Qershor, 2022

schedule 12:14 - 27 Qershor, 2022

Udhëheqësit e G7-ës në Gjermani kanë shqyrtuar se çfarë sanksionesh të reja mund të vendosin ndaj Rusisë për të penguar përpjekjet e Presidentit Vladimir Putin. Qëllimi është që Vladimir Putin të bindet për vendosmërinë e Perëndimit, tha korrespondenti diplomatik i BBC-së, James Landale.

Ari

Të dielën, Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja dhe Japonia thanë se do të ndalonin importet e arit rus për të penguar aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë. Presidenti i SHBA-së Joe Biden sugjeroi që vendet e tjera të G7 – Gjermania, Franca dhe Italia  do t’i bashkohen gjithashtu ndalimit të arit.

Eksportet e arit arrinin një vlerë prej 12.6 miliardë paund (15.4 miliardë dollarë) në vitin 2021, dhe Britania e Madhe tha se rëndësia e tyre është rritur që nga fillimi i pushtimit pasi oligarkët filluan të blejnë shufra ari ose argjendi për të shmangur sanksionet.

Nafta ruse

G7 po finalizon gjithashtu planet për vendosjen  e një tavani të çmimit të naftës ruse, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

“Ne jemi ende në diskutimet përfundimtare me homologët e tjerë të G7 që po punojnë për ta finalizuar këtë, por jemi shumë afër një vendimi ku liderët e G7 do të marrin një vendim për sa i përket naftës ruse“, citohet të ketë thënë zyrtari nga agjencia e lajmeve AFP.

Mbrojtja

SHBA njoftoi gjithashtu sanksione të reja që synojnë sektorin e mbrojtjes të Rusisë, raporton AFP.

“Udhëheqësit e G7 do të shtojnë sanksionet për të kufizuar më tej aksesin e Rusisë” në teknologjinë perëndimore,  sipas Shtëpisë së Bardhë. Dhe SHBA-ja gjithashtu “do të synojë në mënyrë agresive zinxhirët e furnizimit të mbrojtjes ruse dhe do të kufizojë aftësinë e Rusisë për të zëvendësuar pajisjet ushtarake që ka humbur tashmë gjatë luftës së saj brutale ,raporton abcnews.al.

Taksat

Udhëheqësit e G7 raportohet se kanë rënë dakord gjithashtu që paratë e mbledhura nga taksat e larta tregtare të vendosura mbi eksportet ruse t’i jepen si ndihmë Ukrainës, citohet të ketë thënë Shtëpia e Bardhë nga AFP.

Udhëheqësit e G7 “do të kërkojnë të përdorin të ardhurat e mbledhura nga çdo taksë e re për mallrat ruse për të ndihmuar Ukrainën dhe për të siguruar që Rusia të paguajë për koston e luftës së saj”, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Çfarë sanksionesh janë vendosur deri më tani?

Deri më tani, shtetet e BE-së kanë importuar 2.2 milionë fuçi naftë bruto në ditë nga Rusia dhe 1.2 milionë fuçi në ditë produkte nafte. Duke pasur parasysh çmimin në rritje të naftës, Rusia ka fituar mbi 1 miliard dollarë në ditë.

-Vendet e BE-së kanë rënë dakord të ndalojnë importin e çdo nafte nga Rusia që vjen nga deti, gjë që përjashton rreth dy të tretat e totalit. Ata do të vazhdojnë, në baza të përkohshme, të importojnë naftë ruse me tubacion. Nga kjo do të përfitojnë vende të tilla si Hungaria dhe Sllovakia, të cilat janë shumë të varura prej saj.

-Megjithatë, Gjermania dhe Polonia, të cilat gjithashtu importojnë naftë ruse me tubacion, thonë se do ta ndalojnë këtë deri në fund të këtij viti.

-Presidentja e BE-së, Ursula von der Leyen, thotë se kjo do të reduktojë në mënyrë efektive importet e naftës të BE-së nga Rusia në 10 ose 11% të nivelit aktual.

SHBA po ndalon të gjitha importet e naftës dhe gazit rus dhe Britania e Madhe do të heqë gradualisht importet e naftës ruse deri në fund të vitit 2022.

-Gjermania ka ngrirë planet për hapjen e gazsjellësit Nord Stream 2 nga Rusia.

-BE ka thënë gjithashtu se do të ndalojë importet e qymyrit rus deri në gusht. Megjithatë, BE-ja është më pak e prirur për të vendosur sanksione ndaj gazit rus, sepse ajo mbështetet te Rusia në  rreth 40% të nevojave të saj për gaz.

-Vendet perëndimore kanë ngrirë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë – rreth 630 miliardë dollarë (470 miliardë £) rezerva valutore.

-Disa banka ruse janë përjashtuar gjithashtu nga sistemi ndërkombëtar i mesazheve financiare Sëift.

-Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe BE kanë sanksionuar qindra anëtarë të regjimit rus dhe oligarkë që konsiderohen të afërt me Kremlinin. Këtu përfshihen ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, ministri i mbrojtjes Sergei Shoigu, 386 anëtarë të parlamentit rus.

-Të gjitha fluturimet ruse janë ndaluar nga hapësira ajrore e SHBA, MB, BE dhe kanadeze. Mbretëria e Bashkuar ka ndaluar gjithashtu avionët privatë të qiramarrësve nga rusët.

-Britania e Madhe dhe BE-ja kanë ndaluar shitjen e mallrave luksoze të nivelit të lartë, të cilat përfshijnë automjete, modë dhe art të nivelit të lartë, në Rusi.

/abcnews.al