Drejtuesit e linjave të transportit në Gjirokastër janë në ditën e 4 të protestës së tyre. Ata kërkojnë që mos të lejohen më të transportojnë pasagjerë disa linja transporti, të cilat funksionojnë në mënyrë të jashtëligjshme. Të gjithë shoferët që protestuan një ditë më parë janë dërguar në prokurori pasi bllokuan rrugën nacionale.
Protesta e shoferëve të transportit në Gjirokastër vazhdon. Në ditën katërt të ndërprerjes së punës, ata kërkojnë heqjen e licensës për linjën Libohovë –Tiranë dhe Dropull – Tiranë, të cilat sipas tyre veprojnë në mënyrë të paligjshme.
“Ne nga ky moment jemi të dalë nga greva nëse pezullohen këto linja”.
Shoferët janë tashmë të kallëzuar në prokurori për bllokim të paligjshëm të rrugës nacionale Gjirokastër – Tepelenë, por kjo nuk i ka shqetësuar aspak.
“Na kanë çuar në prokurori të gjithë grevistët”.
“Ne po kërkojmë të drejtat tona, nuk i biem kujt në qafë. Erdhi polici dje me telefon, shtyu incidentin, tha “ec t, që t’i bësh të nisen që t’i filmoj unë” dhe të na marrin ne brenda”.
Drejtuesit e linjave te transportit janë në pritje të një përgjigje nga institucionet përkatëse.
“Jemi ngujuar në këtë grevë për të hequr ato linja që për ne janë fantazma ose janë dhënë në mënyrë të padrejtë”.
Shkak i kësaj proteste është konkurrenca e pandershme, e cila po i çon drejt falimentit .Deri sa te zgjidhet kjo situatë, banorët kanë mbetur në këmbë ose përdorin taksi të ndryshme kur përballen me urgjenca./abcnews.al