Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës ka nisur një diskutim për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizëm. Raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis ka paraqitur raportin, në të cilin ka theksuar se pavarësisht mangësive, Kosova është demokraci funksionale.
Bakoyannis ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.
Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetence të brendshme të Kosovës.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve. Raportuesja i ka bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
“Unë shpresoj që sot asambleja e parlamentit të mënvizojë nevojën për të vendosur nën çadrën demokratike të kulturës evropiane 2 milionë evropianë të tjerë, duke i mbrojtur ata nga problematikat që përmenda. Në një aspekt më personal, që kur raporti u bë publik, kam marrë kritika të forta dhe sulme personale për mënyrën se si unë reagova, komentet më agresive janë bërë nga përfaqësuesit e vendeve anëtare që nuk e njohin Kosovën.
Do të shpresoja që të jenë guximtarë sepse në realitet çështjet e tyre nuk janë të njëjtat me Kosovën. Nuk do të ketë asnjë parakusht mbi nevojën që këto anëtarë të suportojnë një raport pozitiv për arsyen se kundërshtimet e tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me kriteret e pranimit që raporti ekzaminoi. Ata kundërshtojnë idenë e një shteti të Kosovës dhe nëse ata janë të duhura. Do të ishte më kurajoze nëse do të kishin vendosur të qëndronin në këtë pikë. Raporti nuk ka asnjë pikënisje në çështjen e shtetësisë.“, u shpreh mes të tjerash Bakoyannis. /abcnews.al