TIRANË– Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla bëri një propozim i ri lidhur me funksionimin e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë, konkretisht për mënyrën e trajtimit të çështjeve që nuk janë pjesë e rendit të ditës.
Sipas tij, deri në vitin 2011 këto çështje trajtoheshin në fillim të seancës plenare, por me një vendim të asaj kohe nga Partia Demokratike ato u zhvendosën në fund të saj.
Sipas propozuesit, kjo do t’i japë më shumë hapësirë deputetëve për të ngritur shqetësime të rëndësishme dhe do të shmangë situatat procedurale që shpesh janë konsideruar të panevojshme.
“Në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, kemi nenin 45 për çështjet që nuk janë në rendin e ditës. Deri pak vite më parë, në vitin 2011, këto çështje trajtoheshin në fillim të seancës. Në mënyrë të njëanshme nga grupi i PD-së në 2011, ato u hoqën dhe u çuan në fund të seancës.
Topalli ka qenë kryetare e Kuvendit, kolegu Patozi nuk është më mes jush dhe nuk shoh ndonjë tjetër nga ata që kanë qenë në 2011. Ne kemi pasur debat të ashpër përse u hoqën çështjet nga fillimi dhe u çuan në fund.
Tani ju kanë ardhur mendtë dhe me të drejtë thoni se ka disa çështje që deputeti duhet t’i ngrejë në fillim të seancës. Kam një propozim; meqenëse jemi në një moment ndryshimesh në rregullore, a jeni dakord ta bëjmë një orë për çështjet jashtë rendit të ditës në fillim të seancës, siç e kemi pasur, dhe t’i japim fund kësaj situate qesharake që, në emër të procedurës, për të cilën askush deri tani askush nga ju nuk ka folur dhe ta fusim në hulli të rregullores.
Ka ndonjëri…se këtu qenka shkrehur fare nga krahu juaj… Mendoj se na bën sens, të zhbëjmë vendimin që e bëtë ju në mënyrë të njëanshme në 2011 dhe ta rikthejmë siç ishte”, tha ai./abcnews.al


