Diskutime në parlament për Avokatin e Popullit, Balla fton Bardhin për të diskutuar kandidaturat

schedule12:33 - 22 Qershor, 2023

schedule 12:33 - 22 Qershor, 2023

Kontrollet dhe tensionet e dy ditëve më parë në kampin e MEK në Manzë të Durrësit kanë qenë temë diskutimi në seancën e sotme parlamentare, ku ka pasur edhe debate. Në vijim, seanca plenare parlamentare ka vazhduar me raportimin e disa institucioneve të pavarura, përfshirë Avokatin e Popullit.

Gazetarja raportoi se kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla dërgoi një sinjal se Ilir Rusmajli mund të jetë një emër për Avokatin e Popullit, i cili ka aplikuar në këtë post. Që emri i tij të shkojë për votim në parlament duhen 28 firma mbështetëse ndërkohë që deputetët e opozitës kanë mbështetur disa emra të tjerë.

“Erinda Balanca ka bërë një raportim të vitit 2022. Ajo është duke pritur prej një viti që dikush ta zëvendësojë por kjo nuk po ndodh pasi palët politike nuk po arrijnë konsensus për një avokat të ri të popullit, për të cilin duhen 84 vota. Balla ftoi sot kreun e grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhin që javën e ardhshme të kenë një takim të përbashkët dhe të zgjedhin 3 ose 4 nga 15 kandidatët që kanë aplikuar për këtë vend në mënyrë që të shkojnë për votim final në Parlament.”, raportoi gazetarja.

Balla ftoi kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhin që të diskutojnë kandidaturat dhe të përzgjedhin disa emra për t’i dërguar në votimin final në parlament. Nga Foltorja e Kuvendit, Taulant Balla tha se Avokati i Popullit duhet të jetë një emër i barazlarguar nga politika.

“Avokatin e Popullit ta zgjedhim brenda 4 javësh. S’mund të jetë avokati i PD. As figurë e spikatur e PD vitet e fundit. Duhet figurë e barazlarguar. Ftoj Bardhin javën e ardhshme që të ulemi bashkë dhe nga 15 emra, të zgjedhim bashkë 3-4 emra që i kalojmë në votim.”, ka thënë Balla në parlament./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!