Disiplina ndëshkon rëndë Starovën

schedule15:07 - 31 Janar, 2018

schedule 15:07 - 31 Janar, 2018

Partizani do të duhet të luajë për shumë ndeshje në Superligë pa trajnerin e tij. Sulejman Starova mori një dënim shembullor nga Komisioni i Disiplinës pas sjelljes në ndeshjen në Vlorë ndaj Flamurtarit.
Ky veprim i kushtoi mjaft shtrenjtë.
Sulejman Starova nuk do të jetë për 8 javë në stolin e Partizanit, pas vendimit të marrë nga Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit.
I mbiquajturi “Bobi” u acarua tej mase në minutat e fundit të ndeshjes në Vlorë ndaj Flamurtarit, pas një penalltie të dhënë nga vendasit.
Ai u përplas fillimisht me gjyqtarin e katërt, dhe pastaj me arbitrin kryesor të takimit, Enea Jorgjin, ndaj të cilit pati jo vetëm veprime fizike dhe ofendime sy në sy, por edhe akuza pas ndeshjes.
Partizani, kështu do të jetë i detyruar të luajë pa trajnerin e tij në stol, për gati gjysmën e ndeshjeve të mbetura, pasi deri në përfundim të Superligës duhen edhe 19 javë.
Starova do të mungojë në disa takime shtëpiake radhazi, përfshi atë ndaj Kukësit, por edhe në përballjen në fushën e Skënderbeut.
Ai do të kthehet vetëm në muajin Mars, kur Partizani të luajë në Shkodër ndaj Vllaznisë.
Pezullimi i teknikut do të jetë një minus jo i vogël për kryeqytetasit që synojnë të fitojnë Kupën e Shqipërisë si dhe të sigurojnë kualifikimin për në Europë nga kampionati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!