Disiplina dënon lehtë Partizanin

schedule13:22 - 26 Shkurt, 2019

schedule 13:22 - 26 Shkurt, 2019

Dënim i pritshëm dhe i lehtë për Partizanin pas dhunës së tifozëve në ndeshjen ndaj Flamurtarit. Komisioni i Disiplinës e ndëshkon me gjobë dhe me dy ndeshje pa spektatorë

Ishte krejt i parashikueshëm, thuajse si një skedinë e fituar. Nuk pati humbje të ndeshjes në tavolinë për Partizanin pas dhunës së tifozëve të tij ndaj fotografit të Flamurtarit, në ndeshjen e Superligës në “Selman Stërmasi”.

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit vendosi gjobitjen e klubit kryeqytetas me dy ndeshje pa spektatorë, si dhe me gjobë prej 200 000 lekësh.

Kjo do të thotë, gjobë dy herë më të lehtë sesa ajo ndaj Tiranës për sjelljen e tifozëve në ndeshjen në Korçë me Skënderbeun.

Disiplina e mbështeti vendimin në nenet 64 e 65 të Kodit të Disiplinës, por tek neni i fundit u bazua vetëm tek pikat 1 dhe 2. Nëse do të ishte mbështetur tek pika 3b, siç edhe i përshtatej ngjarja, dënimi do të kishte qenë humbje 0-3 në tavolinë dhe të paktën 4 ndeshje pa spektatorë.

Dyshimi është se në Kod është lënë vend për interpretim, pasi edhe pika 2 e nenit 65 parashikon dënime për shkelje të rënda, duke e lënë në dorë të Komisionit nëse vendos rezultatin në tavolimë apo jo.

Partizani mbetet 8 pikë përpara Kumësit të vendit të dytë në Superligë, duke mos u dëmtuar në garën për titull, por thjesht nga mungesa e tifozëve në dy takimet e radhës, njëra prej të cilës është ndaj Teutës rivale.

Disiplina besohet se është e kushtëzuar nga vendimet e mëparshme, ku vazhdimisht është përpjekur të mos dëmtojë klubet, edhe pse Kodi I Disiplinës parashikonte dënime më të rënda./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!