Disa fakte për pandemitë, roli që kanë njerëzit dhe rrethanat në të cilat ndodh ky shpërthim

schedule21:30 - 17 Mars, 2020

schedule 21:30 - 17 Mars, 2020

Nuk jam në karantinë sot. Aktualisht aeroporti po punon me gjysmë funksioni, sepse fluturimet janë përgjysmuar ndërsa koronavirusi është shumëfishuar në Europë. Kështu që po shkruaj nga zyra ime, ku në vend të zhurmës së avionëve, dëgjoj cicërimat e zogjve dhe puhizën e pastër të kohës së ndalur.

Mendimet kanë dritë, kjo ka rëndësi…

Dhimbja më e madhe pulson në Itali këto ditë dhe mesazhet me miqtë e mi shqiptarë dhe italianë e kanë kapërcyer detin disa herë. Virtualisht gjithmonë. Flitet nga ballkonet. Ballkonet e dritaret janë pragu i gjithsecilit prej nesh tashmë. Një sinjal, që ndryshimi fillon në shtëpi.

Kam lexuar ditarë te njerëzve të njohur dhe të panjohur, faqe lundruese të shkëputura të ironisë, hidhërimit, shakasë dhe filozofisë.

Mbase kjo është Lufta e Tretë Botërore. Pa armë, pa zhurmë. Nën një çati të vetme dhe nën një frikë të përbashkët.

Nuk besoj se ka luftë më sfiduese se ajo me të panjohurën dhe të padukshmen, edhe pse rezultatet e saj do të jenë gjeopolitikisht të dukshme dhe marrëdhëniet midis shteteve do të kenë tjetër dimension. Dikush nga zero e dikush nga minusi. Plusin e nuhas kush mund ta fitojë.

Po njerëzit vetë? Si janë ndjerë? Të barabartë? Kush në një vilë e kush në 50 metra katrorë, mbyllja është e njëllojtë. Besoj se ata që e kalojnë më lehtë izolimin janë ata që kanë harmoni dhe shumë dashuri nëpër shtëpi, i vetmi antivirus që jeta të të mos mërzitet dhe frikën ta mposhtësh shpengueshëm.

Sa janë të tillë? Shpresoj të jenë mjaftueshëm. Aq sa të jenë në gjendje ta rrëfejnë e ta përcjellin sepse është e domosdoshme. Por jo vetëm ata.

Me dyer të mbyllura, sot fiton kush ka humanizëm në shpirt dhe e ka përgatitur veten të jetë i gjerë, aq sa mos ta ndjejë frikën, por mençurinë, si të mbrohet e si të mbrojë të tjerët.

Italia do të ngrihet, sepse do ta shpëtojë thelbi i saj, historia dhe bukuria që nuk i ka asnjë vend në botë si ajo. Gjithmonë e kam menduar Italinë si bërthamë avokadoje…e pathyeshme, kokëshkëmb e rrumbullake në përsosmëri. Nga jashtë, pak si ne. E zgërlaqur në maja dhe asimetrike në mes.

E ne do t’ia dalim. Do t’ia dalim sa të hyjmë tek vetja thellë e të shohim se kemi bërë vrapin mendjemadh të njeriut që kujton se e gjithë bota është e vetja. Jo. E gjithë bota është e jona./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!