Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë (KPGJT), pjesë e Kastrati Group, ka diplomuar brezin e parë të studentëve.
40 studentë kanë përfunduar me sukses programet e tyre profesionale dhe tani janë të gatshëm të kontribuojnë në industrinë shqiptare dhe ndërkombëtare.
Rektori Jorgaq Kaçani e cilësoi këtë si moment të rëndësishëm dhe historik për Kolegjin Profesional Gjerman të Teknologjisë, që solli risi në sistemin e arsimit në vend, dyke u bazuar në dy shtylla të rëndësishme.
“Përgatitja teorike dhe praktike dhe mbështetet në sistemin dual. Është një sistem që ka perspektivë në zhvillim. Është hequr dore arsimi tradicional që kishte nje cikel studimesh 4 ose 5 vjecar që merrje diplomën për shkak të nevojave që kërkonte tregu i punës. Ne kaluam në sistemin dual që barazon 50% praktike dhe 50% teori”.
Student Andrei Lako, që u punësua menjëherë pas diplomimit në Albsig, një prej kompanive të Kastrati Group, ndau eksperiencën e tij si një histori suksesi, duke treguar se si programet praktike të kolegjit e ndihmuan të integrohej shpejt në tregun e punës.
“KPGJT më dha mundësinë të zhvillohem dhe të mësoj nga profesionistët më të mirë në fushën time. Kam mësuar nga praktika dhe kam pasur mundësi që menjëherë pas diplomimit të gjeja një punë. Kolegji më dha gjithashtu besimin dhe aftësitë që më duhen për të pasur një karrierë të qëndrueshme.”
Kolegji Profesional Gjerman i Teknologjisë është një institucion i akredituar që ofron programe profesionale të orientuara drejt industrisë, duke përfshirë: Teknologji Automobili, Elektro-Mekanikë, Elektrikë & Elektronikë, Menaxhim Ndërtimi si dhe sistemet e Ajrit të Kondicionuar.
Këto programe studimi janë ndër më të kërkuarat në tregun e punës brenda dhe jashtë vendit, të përshtatshme për këdo që dëshiron të punësohet sa më herët ose të fitojë një kualifikim të profilizuar dhe të vlefshëm./abcnews.al