Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të 30 vajza dhe djemve, të cilët përfunduan kursin 1-vjeçar të oficerit të ri në Forcat e Armatosura.
Në fjalën e saj ministrja ka bërë thirrje maturantëve të shfrytëzojnë ditën e fundit të aplikimeve dhe të zgjedhin Akademinë e Forcave të Armatosura për të studiuar në Shkenca Ushtarake.
Xhaçka thekson se atë që ofron Akademia e FA për maturantët s’e ofron askush tjetër.
“Sot, ushtria fillon e kthehet në një profesion të mirëfilltë, që ofron mundësi avancimi e karriere për çdo djalë e vajzë që ka dëshirën për t’i shërbyer vendit, aftësinë për të përballuar sfidën akademike, por edhe atë fizike e të terrenit si dhe disiplinën që është pjesë e karakterit të çdo ushtaraku. Prandaj ju bëj thirrje të gjithë maturantëve që besojnë se i plotësojnë këto kritere, që të aplikojnë për ciklin akademik 2020 – 2023. Dhe i garantoj që do të gjejnë këtu rrugë e mundësi jo thjesht shumë më të mëdha seç i kanë menduar, por edhe shumë më konkrete sesa ato që ofrojnë shumë e shumë degë të tjera të institucioneve të arsimit të lartë“, është shprehur Xhaçka.
Akademinë e Forcave të Armatosura ofron 60 kuota studimi për programin bachelor në Shkenca Ushtarake për ciklin akademik 2020-2023./abcnews.al