Rusia po përdor inteligjencën artificiale gjeneruese (AI) për të nxitur fushatat e dezinformimit kundër Ukrainës, tha zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës Anton Demokhin për Reuters, duke e quajtur atë një kërcënim global.
“Këtë vit ne shohim se intensiteti i sulmeve kibernetike (nga Rusia) vazhdon, por theksi është më shumë te dezinformimi,” tha Demokhin në margjinat e “Cyber Week” në Singapor.
“Tani që AI gjeneruese ka ardhur, ajo lejon që narrativat e dezinformimit të shumëfishohen dhe shpërndahen në një nivel të ri, më kompleks.” Këto fushata të reja dezinformuese janë të vështira për t’u zbuluar”, theksoi ai, duke shtuar se ato po ndiqen nga një aktivitet i gjerë i rremë në mediat sociale për të rritur besueshmërinë e tyre të supozuar.
Demokhin deklaroi se Ukraina po ndjek fushatat ruse të dezinformimit në vende në mbarë botën dhe shtoi se vendet duhet të punojnë së bashku për t’i rezistuar atyre.
Vetë Ukraina po përdor AI gjeneruese për të monitoruar ato fushata, tha Demokhin, por nuk pranoi të thoshte nëse Kievi po kryen sulmet e veta kibernetike.
Zyrtarët ukrainas i thanë Reuters më parë se shumë ukrainas janë në shënjestër të dezinformatave në internet nga Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë dhe agjencia e inteligjencës ushtarake.
Në përgjigje të këtyre pretendimeve, Moska akuzoi Ukrainën dhe Perëndimin për nisjen e një lufte të sofistikuar informacioni kundër Rusisë.
Zyrtarët amerikanë thanë të hënën se Rusia është ndër vendet që përdorin mjetet e inteligjencës artificiale në përpjekje për të ndikuar tek votuesit në Shtetet e Bashkuara përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit./abcnews.al