Dinastia Laro në muzikën shqiptare, vajza e violinçelistit të njohur: Përgjegjësi e madhe mbajtja e këtij mbiemri

schedule12:23 - 29 Mars, 2023

schedule 12:23 - 29 Mars, 2023

Kujtim, Gëzim dhe Flamur Laro janë tre vëllezërit që i kanë dhënë pafund merita artit shqiptar, që nga muzika deri te aktrimi. E ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, vajza e Gëzim Laros, Dorina tregoi përgjegjësinë që ndjen teksa mban mbi supe mbiemrin Laro.

Ajo sot është një nga violinçelistet më të njohura në vend dhe pedagoge në Universitetin e Arteve, por kjo e bën edhe më të përkushtuar për të trashëguar vlerat që babai dhe xhaxhallarët e saj lanë.

Dorina ka theksuar se sa herë luan me violinçelin e të atit ndjen shumë emocione, pasi mban mbi vete dy jetë.

“Është emocion çdo herë kur interpretoj me të njëjtin instrument që ka pasur babai im, sepse në momentin që ai nuk është më, bëhet një urë lidhëse mes meje dhe tij. Qoftë edhe kur e mbaj nëpër supe, nëpër duar, unë mbaj dy jetë, timen dhe të babait.

Edhe lidhen fijet edhe me këtë që pjesë që sapo luajta sepse është tema e filmit “Shtigje lufte”, që e ka shkruajtur xhaxhi im, Kujtim Laro, që njihet për 35-36 kolona zanore të filmave, etj. Lidhja tjetër është se të gjitha temat e violinçelit, kuptohet që ai duke pasur një vëlla violinçelist, në çdo film ka shkruajtur tema dedikuar violinçelit dhe gjithmonë i luante im atë. Për mua është një lidhje 3-fish instrumenti, babai, xhaxhai, muzika, janë të gjitha gjëra që mua më krijojnë emocion.

Sigurisht që është emocion, përgjegjësi për të mbajtur një mbiemër sepse ata të tre përfshirë këtu edhe xhaxhain tim që ka qenë një nga Parodistët e Vlorës, kur bëheshin bashkë ishin njerëz që dinin të qeshnin, të këndonin, shumë sensibël. Kështu që për mua është përgjegjësi e madhe mbajtja e këtij mbiemri. Sepse gjithçka që ata e bën, e bën me shumë sakrificë, me shumë përgjegjësi, me shumë dedikim. Kështu që ky mbiemër që unë trashëgoj është i madh sepse ata e kanë lënë dhe mua më duhet ta trashëgojë”, rrëfeu ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!