“Dinari, kriza e radhës për Kosovën”, Koçi: Nuk i kushtonte asgjë nëse do ta shtynte vendimin dhe për disa muaj

schedule16:30 - 3 Shkurt, 2024

schedule 16:30 - 3 Shkurt, 2024

Analisti nga Prishtina, Melazim Koçi ka komentuar në një lidhje me Skype për emisionin “Ballkan Update”, vendimin për heqjen e dinarit serb si mënyrë pagese.

Ai e ka konsideruar këtë vendim të nxituar, pasi ndërkombëtarët kërkojnë që të përfshihet në dialog. Sipas Koçit, ky vendim tregon dhe krizën e radhës për Kosovën.

Sakaq, analisti ka theksuar se nuk do t’i kushtonte asgjë, qeverisë nëse do ta shtynte dhe për disa muaj marrjen e këtij vendimi.

“Nëse 25 vite është pritur dhe është lejuar që dinari të qarkullojë si mjet financiar në Kosovë, Kosova nuk humbiste asgjë nëse do ta shtynte për një ose dy muaj. Kjo ishte dhe kërkesë e presidentes Osmani, e cila praktikisht sugjeroi që kjo kërkesë të jetësohej, por për fat të keq hasi në vesh të shurdhët.

Unë mendoj që këtu duhet bërë një dallim, unë mbështes atë që kërkuan SHBA dhe do të kishte qene shumë pozitive për Kosovën po ta kishte pranuar. Reagimi i BE ka qene pak më ndryshe, sepse dy ditë para vendimit të Bankës Qendrore, nëse do ta shtynte ose jo çështjen e zbatimit të kësaj rregullore, BE kërkoi që kjo çështje të futet në dialog. Nëse kjo çështje futet në dialog, unë mendoj që Kosova do të dalë e humbur, për një fakt shumë të thjeshtë, një shtyllë e sovranitetit bëhet objekt i dialogut.

Pse është vepruar në këtë mënyrë nuk jam në gjendje ta them, por janë disa hipoteza që qarkullojnë, të cilat do të dalin apo jo, nuk e di, koha do ta tregojë. Gazetarë të pavarur serbë tregojnë se ësht veprim i koordinuar në Bruksel, ndonëse nuk thonë se kush me kë ka biseduar për këtë çështje. Dinë se Serbia ka marrë obligim që në dhjetor të bëjë heqjen e dinarit nga qarkullimi zyrtar, jo nga qarkullimi, sepse nuk ka të bëjë me ndalim, thjesht kërkohet që transaksionet të bëhen në mënyrë zyrtare nëpërmjet euros. Disa veprime të tilla, si heqja e dinarit nga qarkullimi dhe komunave paralele, do të hapte rrugën që ajo të bëhet më lehtë. Asociacioni nuk mund të bëhet nëse paralelisht dinari mbetet në qarkullim dhe strukturat paralele serbe mbeten në qarkullim, njëra dhe tjetra bashkë nuk shkojnë. Kjo është hipotezë”, u shpreh Koçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!