Pritën shumë gjatë, por e panë triumfin me sytë e tyre.
Tifozët dhe futbollistët e Dinamos iu gëzuan më në fund një trofeu pas 15 viteve, duke fituar Kupën e Shqipërisë.
Në 2010 kishte qenë hera e tyre e fundit e lumtur me titullin kampion, ndërsa më pas nisi kalvari në ligat e ulëta të futbollit tonë.
Në “Elbasan Arenë”, blutë kryeqytetas vuajtën shumë përballë Egnatias dhe ia dolën vetëm pas penalltive.
Tetëmbëdhjetë herë kampionët e vendit ishin vazhdimisht në epërsi, fillimisht 1-0 në 17’ kur shënoi Itodo, dhe pastaj 2-1 në 61’, pasi Itodo realizoi përsëri.
Gjithsesi, Egnatia jo më kot është kampione në fuqi e vendit, dhe dy herë radhazi fituese e Kupës.
Rrogozhinasit e trajnerit Edlir Tetova reaguan çdo herë me karakter duke treguar nivelin vërtet të lartë për standardet e futbollit shqiptar.
Guindo goditi në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë dhe Bakajoko sërish në fund, në minutën e pestë shtesë të ndeshjes.
Tek penalltitë, heroi ishte portieri I bluve, Aldo Teqja, një emër I njohur në Shqipëri, dhe që ka kaluar vështirësi të mëdha.
Gardiani 30-vjeçar priti dy 11-metërsha, ndaj vetëm një të Dajsinanit të Egnatias, dhe penalltitë përfunduan 5-4.
Kjo ishte kupa e 14-të e dinamovitëve në histori, veçse e para që nga 2003, pra u desh të pritej 22 vjet.
Shpresa është fati të jetë kthyer për mbarë, dhe duket se “nëndetësja” me Ilir Dajën në stol e ka gjetur më në fund drejtimin e vet e po ashtu identitetin.
Të dielën, shumë shpejt, vjen gjysmëfinalja e plej ofit të Superligës ndaj Vllaznisë në “Arenën Kombëtare”, dhe shqetësimi I vetëm është që lodhja mund të ndikojë.

