DINAMIKA/ “Njëri u fut të bënte foto, ukrainasi e rusja e prisnin jashtë,” si tentuan të huajt të futeshin në Uzinën e Gramshit

schedule23:20 - 20 Gusht, 2022

schedule 23:20 - 20 Gusht, 2022

Ministria e Mbrojtjes ka zbardhur dinamikën e ngjarjes në Uzinën e Përpunimit të Armëve ku tre shtetas të huaj u përplasën me dy rojet ushtarake të objektit. Sipas asaj që bëhet e ditur, gjithçka ka nisur rreth orës 17:40 të ditës së sotme kur  roja ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit.

Sipas Mbrojtjes, ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët kanë zbatuar rregullat ushtarake me qëllim ndalimin e personit, duke i bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojës dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, personi ka tentuar të largohet, por falë reagimit të shpejtë të dy efektivëve është bërë ndalimi i tij.

Në këtë moment personi është kundërpërgjigjur duke përdoruar spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij. Menjëherë pas njoftimit policia ka bërë shoqërimin e shtetasit rus, M. Z., 24 vjeç, në ambientet e Komisariatit të Policisë Gramsh, për veprime të mëtejshme.

Ndërkaq janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull që shoqëronin këtë shtetas. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina.

Shërbimet e Policisë bënë të mundur që në afërsi të kësaj zone të konstatojnë dhe të bllokojnë automjetin tip “Chevrolet”, me të cilin udhëtonin shtetasja ruse Svetlana Timofoev 33 vjeçe dhe shtetasi ukrainas F. A., 25 vjec, të cilët janë shoqëruar për veprime të mëtejshme.

Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur

Në vendngjarje ndodhen edhe përfaqësues të Policisë Ushtarake dhe Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit po koordinojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!