Dinamika e ekzekutimit në Elbasan, gruaja kërkoi ndihmë, dëshmitë, pistat dhe e shkuara e viktimës

schedule21:53 - 11 Maj, 2021

schedule 21:53 - 11 Maj, 2021

Ekzekutimi mafioz në lagjen “Skënderbej” tronditi mbrëmjen e sotme qytetin e Elbasanit. Ishte ora rreth 20:10 dhe sapo kishte rënë nata kur Everest Çakës iu bë pritë teksa po shkonte te shtëpia e prindërve të bashkëshortes duke u qëlluar disa herë me pistoletë me silencitaor.

Goditjet ishin fatale për 41-vjeçarin që njihej me dy emra (Everest dhe Ibrahim Çaka) duke ndërruar jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, Silvana ka marrë një plagë në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Alarmi dhe dëshmitë

ABC mëson nga ka qenë gruaja e viktimës që e alarmuar ka dalë me shpejtësi nga makina duke kërkuar ndihmën e banorëve të zonës për të njohur policinë dhe ambulancën, që pavarësisht përpjekjes nuk arritën që të mbanin në jetë bashkëshortin e saj. Disa prej banorëve të zonës i thanë ABC-së se nuk kishin dëgjuan të shtëna duke shtyrë hetuesit të dyshojnë se ekzekutimi është kryer me silenciator.

Kontrollet

Menjëherë pas vrasjes në Elbasan shkoi drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu. Policia njofton se janë ngritur pika kontrolli në hyrje – daljet në qytetin e Elbasanit dhe vijon kontrolli i zonës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe  vijon puna për zbardhjen e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e  kapjen e autorit.

Por  nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi zanafilla mund të jetë vite më parë dhe ndoshta larg Elbasanit. Në ndihmë të drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit Kreshnik Ajazi janë edhe zyrtarë dhe ekspertë të lartë të drejtorisë së policisë së shtetit.

Everest dhe Silvana Çaka

Pistat dhe e shkuara e viktimës

Për të folur për pista konkrete është ende herët, pasi po administrohen provat, por nga tryeza e ekspertëve të grupit hetimor prokurorisë së Elbasanit nuk mund të përjashtohet hakmarrja. Everest Çaka 12 vite më parë ka qenë i arrestuar nga policia e Elbasanit për ekzekutimin e Gëzim Alikajt te Ura e Zaranikës në Elbasan.

Arjan Spahiu

41-vjeçarit po disa vite më parë në Spanjë iu ekzekutua vëllai, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar iu vra kushëriri i parë, Arjan Spahiu në Bruksel. Për të hedhur dritë mbi vrasjen e Spahiut në Elbasan pak ditë më parë, në datë 2 maj zbarkuan një grup prokurorësh dhe ekspertësh nga Belgjika, ndërsa mbrëmjen e sotme u shënua një tjetër viktimë brenda familjes. Vrasja e Everest Çakës sonte në Elbasan ishte e treta brenda dy ditëve, pasi dje në Vlorë u ekzekutua Bledar Birçaj dhe mbrëmë në Tiranë Mehmet Qema./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!