Kontesti për emrin kushtetues të Maqedonisë ka ulur për 6 orë në tryezë ministrat e Jashtëm, Dimitrov dhe Kotzias. Ndërsa palët kanë qenë të rezervuara per kete takim ne Vjenë, mediat shkruajnë se në dialog po trajtohen çështje si përdorimi i emrit të ri të Maqedonisë, nacionaliteti dhe gjuha.
Ka zgjatur rreth gjashtë orë takimi i ministrave të Jashtëm, Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias në Vjenë, në prani të ndërmjetësit të OKB për çështjen e emrit të Maqedonisë, Mattheë Nimetz. Sidoqoftë, mesazhi që dy palët kanë përcjellë në përfundim të takimit ka qenë se do të vijojnë bisedimet deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për kontestin dypalësh.
“Pas takimit konstruktiv, që është pjesë e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme dhe të përbashkët për çështjen e emrit, ministrat e Punëve të Jashtme ranë dakord që të vazhdojnë përpjekjet nën mbikëqyrjen e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme maqedonase.
Ndërkohë, mediat në Shkup raportojnë se bisedimet nuk po zhvillohen më për të përcaktuar se cili do të jetë emri i Maqedonisë, por përdorimi i tij, nacionaliteti dhe gjuha. Mediat greke nga ana tjetër shkruajnë se vendi i tyre ka përpiluar një pjesë të draft-marrëveshjes, e cila ka qenë bazë e takimit të Vjenës. Bisedimet mund të vazhdojnë edhe në takimin joformal të ministrave të Jashtëm në Sofje, më 15 dhe 16 Shkurt. Ndërkohë, në kuadër të dialogut nuk përjashtohet mundësia që së shpejti të ketë një takim tjetër mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras./abcnews.al