E ardhmja e Daniele De Rossit është e paqartë. Mesfushori roman u transferua në verë te Boca Juniors dhe deri tani është aktivizuar në 7 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Objektivi i madh është fitimi i titullit kampion. Ekipi i famshëm argjentinas renditet në vend të dytë me 29 pikë, një më pak se kryesuesit e Argentinos Juniors.
Kontrata me Bocan i përfundon në verën e vitit 2020, teksa mund të rikthehet në Serie A në janar. Fiorentina është gati t’i ofrojë një kontratë dhe një post titullari, por nuk përjashtohet as mundësia e tërheqjes nga futbolli.
36-vjeçari nuk ka marrë ende një vendim për të ardhmen, nëse do të vazhdojë me Boca Juniors, do të pranojë ofertën e Fiorentinës apo do të tërhiqet. Ekipi nga Firence e kërkoi edhe në verë, por De Rossi preferoi të provonte emocionet e futbollit amerikano-latin. Nëse vendos t’i japë fund karrierës, italiani mund të vijojë profesionin e trajnerit. /abcnews.al