Digjen tre makina me targa RKS në veri

schedule11:09 - 31 Mars, 2023

schedule 11:09 - 31 Mars, 2023

Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të panjohur kanë djegur edhe tri vetura që u përkasin viktimave të nacionalitetit serb në veri të Kosovës.

Rasti raportohet të ketë ndodhur më 31 mars, pas mesnatës, derisa një veturë ishte e parkuar në rrugën “Kral Milutin” në Zveçan, një në “Ivo Lola Ribar” në veri të Mitrovicës, dhe një veturë ishte në rrugën “Vlade Çetkoviç” gjithashtu në veri të Mitrovicës.

“Me 31 mars 2023 pas mesnatës, në veri të vendit është raportuar se nga persona të panjohur janë djegur edhe tri vetura që iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, të cilat kanë qenë të parkuara njëra në rrugën “Kral Milutin”- Zveçan, tjetra në rrugën “Ivo Lola Ribar”- Mitrovicë Veri, si dhe e treta në rrugën “Vlade Çetkoviq”- Mitrovicë Veri. Pas dy veturave të djegura me datën 30.03.2023 në veri të vendit, pas mesnatës së datës 31.03.2023, iu është vënë zjarri edhe tri veturave të tjera, të cilat iu përkasin viktimave të nacionalitetit serb, e të cilat ishin regjistruar me targa të Republikës së Kosovës (RKS)”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore, përfshirë forenzikën, të cilat kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet ‘zjarrvënie’ për procedura të mëtejme hetimore.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!