Drejtuesja politike e PS-së për qarkun e Dibrës, mesditën e kësaj të shtunë ka qenë në Peshkopi ku dhe ka prezantuar kandidatin për kryebashkiak Rrahim Spahiu.
Balluku në fjalën e saj është shprehur se kryebashkiaku i Peshkopisë, në ndryshim nga Kola në Klos dhe Mjeshtri në Bulqizë, ka një vat sepse pati kohë 12 muaj që të tregojë atë që mund të bëjë.
Ndër të tjera ajo ka theksuar se Dibranët janë të zgjuar dhe nuk mund tua hedhësh kollaj.
“Partia socialiste një vit më parë ka sjellë në Dibër një burrë që flet pak, sepse është i lapsit, është një financier që ka drejtuar një bankë, që e respekton e gjithë Dibra. Me këmbënguljen tonë, pasi na është dashur ca që ti mbushnim mendjen që të bëhej drejtuesi i parë i qytetit të Dibrës, pasi Dibra i ka të gjithë por i duhej një financier i mire, Rrahim Spahiu ndryshe nga Valbona apo Festa ka një vat pasi patri një provë që në 12 muaj të tregojë dibranëve se çfarë di të bëjë. Dibranët nuk të falin, ta masin kokën mirë dhe të bëjnë analizën nëse je i aftë. Nuk ta përtojnë por ta thonë në sy. Rrahimi në 12 muaj ka bërë punë që nuk ishte bërë vite më parë, duke përfshirë edhe ne se edhe ne kemi pasur faje tona në Dibër, për këtë ne kemi zgjedhur një person që do të sjellë ndryshimin në Dibër”, ka thënë Balluku.
Ndër të tjera zv-kryeministrja është shprehur se me Dibrën me Matin e ka zemrën plot dhe beson se do ta nderojnë PS-në si kurrë më parë, pasi dhe njerëzit që përfaqësojnë PS-në të zbardhin faqen./abcnews.al

