Zonat e thella të vendit janë pushtuar nga ngricat dhe mjegulla. Në Dibër drejtuesit e mjeteve pohojnë se mjegulla i pengon në lëvizje. Mjegulla e dendur ka bërë që të kufizohet shikueshmëria horizontale deri në 10 metra.
“Mjegulla ka problem, duhet të ecim me kujdes që të mos ketë probleme”, u shpreh një prej qytetarëve.
Problem mbeten dhe ngricat. Zona më e vështirë për të qarkulluar është gryka e Drinit dhe segmenti nga pishat e Bulqizës deri në Qafën e Buallit. Firma që merret me mirëmbajtjen e rrugëve të Qarkut Dibër hera herës detyrohet të rikthehet në të njëjtën zonë për të hedhur kripë deri dhe tre herë në ditë.
“Disa akse janë shumë të vështira, i kemi marrë masat dhe hedhim dy tre herë kripë gjithë natën. Pjesa më e vështirë është nga Fushë – Bulqiza në qafë Bullit që është e domosdoshme dy apo tre herë kripë”, tha përgjegjësi i mirëmbajtjes së rrugëve, Abaz Mera.
Përgjegjësi i kompanisë kërkon nga shoferët të përdorin gomat dimërore dhezinxhirët pasi shpesh herë bllokojnë dhe punën e borëpastruesve. Ndërsa strukturave të policisë rrugore ju kërkon që të jenë më bashkëpunuese.
“Nëse shoferët nuk kanë zinxhirë apo goma nuk kemi si ti përballojmë kemi nevojë për policinë rrugore, nuk mund ti përballlojmë sepse shoferët futen në krahun e kundërt”, tha më tej Mera.
Mjegulla prej dy ditësh është shfaqur dhe në Qarkun e Korçës dhe ka krijuar kufizime në shikueshmërinë e drejtuesve të mjeteve./abcnews.al