Diaspora vulos 11 majin/ Mbi 60 për qind e votave nga jashtë shkojnë për PS

schedule23:05 - 20 Maj, 2025

schedule 23:05 - 20 Maj, 2025

SHQIPËRI- Olimpiada e numërimit të votave të diasporës u mbyll në ditën e 9-të. Elbasani, qarku më i nxehtë i zgjedhjeve, mbylli me paqe kutinë e fundit nga emigrantet.

Por kjo kuti, e fundit për këto zgjedhje, beri jehone, vetëm për shkak të sallës bosh në Parkun Olimpik. Rezultati ishte lexuar me kohë.

Kryesocialisti Rama nuk priti hapjen e kutisë se fundit për te falënderuar mbi 120 mije bashkëpatriotët jashtë që votuan PS.

“Një falënderim krejt të posaçëm, për shqiptarët që nga Greqia, Italia, Amerika, e çdo anë e Evropës dhe botës iu bashkuan trenit të fitores duke e bërë atë edhe më domethënëse, jo thjesht për nga numrat po në radhë të parë për nga mesazhi i fuqishëm i shumicës së tyre dërrmuese, i cili do të na bëjë edhe më të përkushtuar për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama.

Në kontrast me të, dhe me realitetin, Sali Berisha pas, zgjodhi të mos njohë rezultatin.

“Më 11 maj ndodhi një gjëmë e madhe. Kjo ishte një farsë. Që s’mund të pranohet kurrë. Ishte thjesht farsë, s’kishte zgjedhje. Ky rezultat s’mund të pranohet kurrë”

Por për socialistët, këtu nuk ka asgjë të re.

“Ju kemi kujtuar ju dhe publikun deklarimet e atij që është në PD prej 35 vitesh. Në 1997, 2001, 2003, deklaron se I kanë vjedhur zgjedhjet, e deri në 2023 e tani”

Doktori e humbi ndeshjen, megjithëse e kishte kësaj radhe arbitrin me vete. Por në fund nuk e kurseu as, Ilirjan Celibashin.

“KQZ-ja nëse do i përmbahej ligjit, nuk do ulej kurrë të nxirrte rezultatin, sepse do thoshte procesi ishte farsë dhe vetëm farsë”

“Vota e diasporës ishte një sukses i dyfishtë. I pari politik dhe kushtetues. Shteti u ktheu borxhin me të vogël që u kishte emigrantëve, duke u dhënë të drejtën e votës. Suksesi i dytë ishte se ata treguan se ishin pjesa më progresive e shoqërisë. I vetmi dështim i këtij procesi i mbetet Ilirian Celibashit.

Kryekomisioneri e ktheu votën e diasporës në një mollë sherri me vendimet që mori para dhe pas zgjedhjeve. Dhe ndërsa i dha mundësi opozitës të kontestojë procesin që ai vetë e organizoi, Celibashi do hyjë në historinë e zgjedhjeve si i vetmi drejtues i KQZ, që është kontestuar nga të gjitha palët, si ata që i humbën, ashtu dhe nga fituesit e zgjedhjeve, raportoi gazetari Andon Kello./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!