Këtë të premte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prezantoi dhe bëri testimin për platformën elektronike që u jep mundësinë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendin të votojnë në zgjedhjet në 2025.
Eksperti Kristaq Kume në një intervistë në “News Line” në ABC News u shpreh se aplikimin mund ta bëjë çdo shqiptar kudo që të jetë. Gjithashtu u shpreh se është bërë një përpjekje maksimale për të pasur një proces të sigurt.
“Ajo që u paraqit sot është pjesë e metodologjisë së punës për të realizuar gjithë përfshirjen në këtë mënyrë të të votuarit të shqiptarëve që do të realizohet në maj të 2025. Kush e ka ndjekur mund të arrijë në përfundimin se bëhet fjalë për një procedurë që mund të jetë shumë e thjeshtë për t’u zbatuar në praktikë nga qytetarë që do të votojnë nga jashtë. Ajo që po demonstrohet është se çfarë duhet të bëhet për të kërkuar nga ata që do të votojnë nga jashtë. Nuk ka asnjë kufizim, mund ta bëjë çdo shqiptar kudo që është. Më pas kemi punën fizike, dërgimin e materialeve tek zgjedhësit në adresën që ka dërguar. Është bërë përkujdesja për të siguruar një proces të saktë dhe me pamundësi për ndërhyrje. Është bërë përpjekja maksimale për të marrë më të mirën e mundshme. Ka kushtuar, por ia vlente i gjithë shpenzimi që është bërë. Platforma do të ofrojë kushtet e nevojshme”, tha ai.
/abcnews.al/