Armando Broja po vazhdon me paraqitjen mahnitëse të tij, teksa edhe këtë herë ka arritur të dërgojë topin në fundin e rrjetës duke shënuar një gol vërtet spektakolar.
Sulmuesi shqiptarë cilësohet si xhevahiri i skuadrës së Southhampton në Premier League, i cili përveç golit arriti të fitonte edhe një goditje dënimi që më pas u shndërrua në gol nga shoku i skuadrës.
Trajneri Ralph Hasenhuttl e konsideron veten me fat që ka në organikën e tij një lojtar protagonist siç është 20-vjeçari shqiptar, teksa lavdëroi futbollistin kuqezi, ndërsa theksoi se në fushë dallohet qartësisht se sa i rëndësishëm është Broja për skuadrën.
“Unë isha shumë i lumtur që Broja ia doli të rikuperohej në kohë për ndeshjen ndaj Crystal Palace, sepse nuk kishte garanci që mund të luante pas një dëmtimi në sfidën e kaluar. Pastaj, në fushë të gjithë e shohin qartësisht se sa i rëndësishëm është ai për skuadrën tonë. Në këtë moment na duhen të gjithë futbollistët, mund të ndodhë që për një ndeshje je jashtë skuadre, por në sfidën pasardhëse të duhet të luash sepse të gjithë janë të rëndësishëm”, u shpreh Hasenhuttl. /f.a/abcnews.al