Dialogu me Serbinë, Lajçak pritet të vizitojë Kosovën për të takuar Kurtin

schedule21:51 - 18 Shkurt, 2021

schedule 21:51 - 18 Shkurt, 2021

I dërguari Special i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, së shpejti pritet që të vizitojë Kosovën dhe Serbinë. Ai pritet ta takojë në Prishtinë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti partia e të cilit doli e para në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Lajçak tha se do të diskutojnë rreth bashkëpunimit mes tyre dhe rreth çështjes së vazhdimit të dialogut me Serbinë.

“Në Kosovë nuk do të mbetet më krejt njëjtë, sepse së shpejti do të kemi Qeverinë dhe Kryeministrin e ri dhe kjo qeveri do të ketë mandat shumë të fortë. Kjo është situatë e re. Së shpejti unë vizitoj Prishtinën dhe Beogradin. Në Kosovë do të flas me fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti, rreth bashkëpunimit tonë dhe vazhdimin e dialogut”, tha Lajçak për Radio Televizionin e Malit të Zi.

Lidhur me vazhdimin e dialogut ka folur edhe zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Peter Stano.

Stano ka përsëritur qëndrimin e shefit të tij Josep Borell duke thënë se BE ka qenë shumë e qartë në deklaratën e tyre se presin që qeveria e re të vazhdojë dialogun.

“BE-ja ishte shumë e qartë në deklaratën e përbashkët, të lëshuar të hënën nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Borrell, dhe komisioneri Varhelyi, që ne e presim formimin e qeverisë së re dhe, mes tjerash, gjithashtu presim nga autoritetet e reja në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe ta zënë mundësinë përballë tyre që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, u shpreh Stano. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!