Nuk kishte ndier asnjë shqetësim, por, një kontroll mjekësor i zbuloi Afize Shahos sëmundjen e diabetit. Sot, 54-vjeçarja jeton prej më shumë se tre dekadash me “sëmundjen e fshehtë”, e cila shpesh nuk jep shenja paralajmëruese.
Të jetosh me diabet nuk është e lehtë, thonë specialistët. Vetëm gjatë një viti, mesatarisht në vend zbulohen rreth 6 mijë raste të reja, një shifër që ka rritur ndjeshëm numrin e të prekurve gjatë 10-vjeçarit të fundit. Mjekët e lidhin këtë rritje me kequshqyerjen, mbipeshën dhe me jetën sedentare.
“Vuajnë rreth 111 mijë me diabet në vendin tonë, dhe rreth 6 mijë zbulohen çdo vit. Rritja e shifrave të diabetit lidhen me faktorët e stilit të jetesës. Rritja e numrit të rasteve lidhet pikërisht me obezitetin. Ne po kemi çdo vit rritje të numrit të personave obez, çka përkthehet me kalimin e kohës më shumë diabetik”, shtoi Megi Lekbello, Endokrinologe QSUT.
Sëmundja nuk kursen askënd. Por, cilat janë grupet më të riskuara, përveç atyre që kanë një histori familjare me këtë sëmundje?
“Tek kategoritë e riskut hyjnë të gjithë ata që kanë familjarë me këtë sëmundje, por, dhe personat e shëndosh janë të riskuar. Edhe faktori moshë ndikon, me kalimin e kohës je më i prirur për të shfaqur diabet. Por, ajo që shohim vitet e fundit është edhe stili jo i shëndetshëm, që po shfaq rastet tek moshat e reja”, tha Lekbello.
Në çdo rast, apeli i mjekëve mbetet i njëjtë: më shumë ndërgjegjësim dhe kontrolle të rregullta. Sipas specialistëve të shëndetit, kryerja e Check-up-it, mund të zbulojë sëmundjen herët dhe të shmang komplikacionet e rënda.
“Me programin e check up-it që ne kemi, i cili bëhet çdo vit, është një mënyrë për ta kapur sëmundjen në kohë. Për tu bërë pjesë e ekzaminimit mjafto të paraqitesh pranë poliklinikave apo Qendrave Shëndetësore, ofrohet falas. Diagnostikimi bëhet me matjen e glicemisë në gjak”, u shpreh Megi Lekbello.
Aktualisht, në vend rreth 111 mijë persona janë të diagnostikuar me diabet, ndërsa mjekët paralajmërojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, për shkak të rasteve të padiagnostikuara.

