Diabeti në rritje të fortë, dyfishohen rastet në 8 vite

schedule07:32 - 9 Gusht, 2021

schedule 07:32 - 9 Gusht, 2021

Një studim i thelluar i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik që u publikua kohët e fundit tregon se, diabeti (sëmundje kronike e shkaktuar nga nivelet e larta të glukozës në gjak) po rritet me shpejtësi në popullatën shqiptare, si rrjedhojë e stilit të jetesës, kequshqyerjes dhe mungesës së aktivitetit fizik.

Në vitin 2018, në vendin tonë, janë të regjistruar 78,459 pacientë. Nga viti 2010 në vitin 2018, vihet re dyfishimi i rasteve prevalente me DM (shih grafikun bashkëngjitur).

Sipas studimit, prevalenca më e lartë regjistrohet në rajonin e Elbasanit (349/10,000 banorë), e ndjekur nga rajonet e Durrësit, Korçës dhe Lezhës (përkatësisht 307.7, 302.2 dhe 302.1 për 10,000 banorë). Prevalenca më e ulët është regjistruar në rajonin e Beratit dhe Kukësit (përkatësisht 144.6 dhe 154.4 për 10,000 banorë).

Mirëpo teksa sëmundja po përhapet me shpejtësi, niveli i standardizuar i vdekshmërisë nga diabeti ka ardhur në ulje gjatë 10-vjeçarit të fundit, por ndikimi i tij në shëndet dhe sëmundjet e tjera është mjaft i lartë: sëmundshmëria dhe vdekshmëria që shkakton, kostot sociale dhe ekonomike ndaj individëve, familjeve dhe komuniteteve të lidhura më të.

Ekspertët u shprehën se barra e sëmundshmërisë nga diabeti përbën shqetësim për Shqipërinë, me një rritje potenciale të mëtejshme në dekadat e ardhshme, nëse nuk merren masat e duhura. Diabeti tashmë konsiderohet si një faktor rreziku për sëmundje të tjera kronike dhe për këtë arsye, është i nevojshëm kontrolli dhe parandalimi i tij.

Organizata Botërore e Shëndetësisë projekton që diabeti do të jetë shkaku i shtatë kryesor i vdekjes në vitin 2030. Prevalenca e diabetit po rritet më me shpejtësi në vendet me të ardhura të mesme dhe me të ardhura të ulëta. Pothuajse gjysma e të gjitha vdekjeve që i atribuohen nivelit të lartë të glukozës në gjak ndodhin para moshës 70-vjeçare.

Dieta e shëndetshme, aktiviteti fizik i rregullt, mbajtja e një peshe normale të trupit dhe shmangia e përdorimit të duhanit janë mënyra për të parandaluar ose për të vonuar fillimin e diabetit të tipit 2. Diabeti mund të trajtohet dhe pasojat e tij të shmangen ose të vonohen me dietë, aktivitet fizik, ilaçe dhe kontrollim të rregullt dhe trajtim për komplikime

Pavarësisht shpeshtësisë relativisht të madhe të diabetit të dhënat për sa i përket kësaj sëmundjeje në vendin tonë vazhdojnë të mbeten të pamjaftueshme./monitor/

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!