Ditën e fundit të vitit 2017, 60 familje të komunitetit rom në Tiranë kanë marrë dhuratën e veçantë. Shtëpinë re në zonën e Lanabregasit.
Dhurata e fundvitit për familjet e komunitetit rom, që preken nga projekti i rehabilitimit të Lumit Tirana, është nje shtepi e re.
Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe UNDP përfundoi ndërtimin e 60 banesave pranë ish-repartit ushtarak në Lanabregas.
Ato iu dhuruan familjeve së bashku me pako me ushqime.
“Për ne është jetike që ta mbajmë fjalën. E kishim premtuar që Viti i Ri do t’i gjente këto familje në shtëpi të reja. Është e rëndësishme që komuniteti të mos ndihet si mish i huaj, por të përqafohet nga të gjithë fqinjët. Besoj se kemi nevojë për këtë lloj integrimi. Ka qenë një operacion i vështirë, por besoj ka vendosur një standard. Siç këto familje hynë në banesat e reja në Lanabregas, ashtu edhe komuniteti i Shkozës, do të jetojë në një realitet tjetër. Në fillim të janarit do të jemi aty për ta uruar edhe atë komunitet, ndonëse kanë filluar të hyjnë në shtëpitë e reja. Kështu që, çfarë ishin punë të vjetra i mbyllëm këtë vit. Mezi pres që të mbajmë fjalën për të gjitha premtimet e 2018-ës dhe të bëjmë akoma më shumë punë të mbara për të treguar që ky është një qytet, ku suksesi nuk varet nga ngjyra e lëkurës, nga mbiemri apo nga partia politike, por varet nga talenti dhe bashkëpunimi që kemi me gjithsecilin”.
Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu vlerësoi të gjitha institucionet që mundën të realizojnë këtë projekt që i jep zgjidhje problemit ketij komuniteti.
“Kjo është një ditë e gëzueshme. Komuniteti nga Bregu i Lumit ka pasur kushtet më të vështira të jetesës në Shqipëri. Ata kanë bërë një rrugë të gjatë për të mbërritur në këto shtëpi. Shprehim lëvdatat tona për Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Financës, OSSHE, komunitetin e Lanabregasit dhe Shkozës, veçanërisht për imamin, kryeplakun, OKB, BE-në, OSBE-në, OJQ-të rome, por mbi të gjitha për këtë komunitet të guximshëm rom. Urime për shtëpitë tuaj të reja”.
Ndërkohë që koordinatori i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri, Williams theksoi se ky model përkujdesje ndaj komunitetit rom duhet të ndiqet nga të gjitha bashkitë e tjera.
“Është e mrekullueshme të shohësh para fundit të vitit, 60 shtëpi të reja për familjet rome. Urime bashkisë, është rëndësishme të dimë se ata paguan për 80% të kësaj. UNDP-ja është shumë krenare të bashkëpunojë me Bashkimin Europian për të bërë ndihmuar me çfarë të mundet. Do të dëshironim të shikonim të gjitha bashkitë që të kujdeseshin për njerëzit e tyre në këtë mënyrë. Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe me shtëpi me kushte moderne për të gjithë, ndaj duhet të ketë shtëpi sociale të disponueshme për çdokënd dhe është fantastike të shikosh lidershipin e Tiranës këtu”.
Shtëpitë janë ndërtuar në sipërfaqe totale mbi 11.699 m2 dhe janë organizuar në 15 godina të veçanta, nga të cilat 11 janë godina të reja dhe 4 të tjera janë rikonstruksion./abcnews.al