EMRAT/ Dhunuan me sende të forta drejtorin e OSHEE në Lezhë, identifikohen autorët

schedule17:23 - 21 Dhjetor, 2022

schedule 17:23 - 21 Dhjetor, 2022

Policia e Lezhës ka zbardhur ngjarjen e 30 nëntorit të këtij viti, kur u dhunua Drejtori i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Edmir Përndreca.

Disa persona janë shoqëruar në polici si autorë të dyshuar për ngjarjen dhe dy prej tyre janë arretsuar. Sebastiano Malotaj dhe Leonard Pepaj kanë rënë në pranga, ndërsa ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës së Përndrecës.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Zbardhet me prova ligjore, plagosja e rëndë e një punonjësi të OSHEE, Lezhë, ngjarje e ndodhur më datë 30.11.2022.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fundviti”.

I dëmtuan automjetin, punonjësit të OSHEE, Lezhë, dhe e goditën atë për shkak të detyrës, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas, bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë së Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, mbështetur në inteligjencën informative, kanë vijuar hetimet me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundviti”, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më 30 nëntor 2022, në aksin rrugor “Shënkoll-Lezhë”, ku u dhunua fizikisht shtetasi E. P., 43 vjeç, me detyrë drejtor i OSHEE, Lezhë.

Si rezultat i operacionit “Fundviti”, u identifikuan, u kapën dhe u ndaluan shtetasit L. P., 27 vjeç dhe S. M., 27 vjeç, të dy banues në Lezhë, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, fillimisht i kanë dëmtuar automjetin shtetasin E. P., gjatë lëvizjes, dhe më pas e kanë goditur atë, për shkak të detyrës, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, automjetin e përdorur nga 2 të arrestuarit, për kryerjen e kësaj ngjarjeje.

Vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtori i OSHEE-së, Edmir Përndeca u dhunua fizikisht mbrëmjen e 30 nëntorit në Tale të Lezhës. Përndreca ishte ndjekur nga autorët dhe më pas është goditur me sende të forta.

Edmir Përndreca është emëruar drejtor i Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë prej më shumë se 1 viti, ndërsa ka një karrierë të gjatë pune si inxhinier pranë këtij institucioni. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!