Dhunë në lagjet e Rios, 8 të vrarë nga përplasjet me policinë

schedule22:59 - 22 Gusht, 2018

schedule 22:59 - 22 Gusht, 2018

Brazili vazhdon të jetë i përfshirë nga spiralja e dhunës së bandave të drogës. 8 persona, ushtarakë dhe civilë kanë mbetur të vrarë këtë javë, gjatë përpjekjeve të forcave të sigurisë për të marrë nën kontroll Rio de Zhaneiron.

Tre ushtarë brazilianë kanë mbetur të vrarë në operacionin e nisur këtë javë në lagjet e varfëra të Rio de Zhaineros, për të goditur bandat e trafikut të drogës. Vrasja e fundit është verifikuar të mërkurën, ndërkohë që 5 civilë dhe dy ushtarë u vranë të hënën, gjatë bastisjes së zonës veriore të qytetit me 6.3 milionë banorë.

Autoritetet kanë bërë me dije se ushtari kishte mbetur i plagosur dhe ka ndërruar jetë në spital, edhe pse fillimisht gjendja e tij nuk paraqitej e rëndë. Operacionet e forcave të sigurisë për vënien nën kontroll të qytetit nisën 6 muaj më parë.

Në shkurt të këtij vitit, presidenti Michel Temer shpalli masat e jashtëzakonshme duke autorizuar ushtrinë të marrë nën kontroll forcat e policisë së Rio de Zhaneiros, ku bandat e drogës dhe milicitë kanë bërë që aktet e dhunës të arrijnë pikun.

Rreth 64 mijë persona mbetën të vrarë në Brazil në vitin 2017 dhe spiralja e dhunës që ka përfshirë vendin është kthyer në kalin kryesor të betejës mes politikanëve, në prag të zgjedhjeve presidenciale që mbahen në Tetor.

Nga ana tjetër, edhe policia braziliane është ndodhur nën akuza për taktikat e saj në operacionet speciale, që kanë çuar në përplasje me civilët e lagjeve të varfëra, të njohura si favelas./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!