Prokuroria e Posaçme, ka regjistruar një prej kallëzimeve të bëra nga Policia e Shtetit për incidentet e dhunës që kanë ndodhur në sallën e Kuvendit.
Brenda 15 ditësh prokurorët e Posaçëm, do të kryejnë veprime hetimore për të parë nëse ka apo jo vepër penale, për të regjistruar më tej një hetim për emra konkret.
Referimet nga ana e Policisë janë bërë për veprat penale të shkatërrimit të pronës publike me dashje por edhe të shkelejeve të rregullave për lëndët piroteknike.
Policia ka bërë në total 4 referime në Prokurorinë e Posaçme për sa I përket dhunës, dhe ndezjes së flakadanëve në sallën e Kuvendit.
Rasti I fundit ishte të mërkurën, ku ekspertë të krimeve nga komisariati nr.1, në Tiranë ka referuar në Prokurorinë e Posaçme, materialet hetimore, për grupin parlamentar të opozitës.
Ndërkohë më datë 4 dhjetor përveç materialeve hetimore, në SPAK, u referuan edhe emrat e deputetëve Falmur Noka dhe Albana Vokshi. Për këtë rast referimi nga ana e komisariatit nr.1 është bërë për veprat penale “Shkaterrimi pronës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lendet plasêse” parashikuar nga nenet 150 dhe 282 te Kodit Penal.
Sipas kodit penal, Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Ndërsa, shkelja e rregullave të caktuara për përdorimin, e lëndëve plasëse, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.