Ndeshja mes Kamzës dhe Laçit u shënua dhe nga disa skena të dhunshme. Disa tifozë të Kamzës ushtruan dhunë ndaj arbitrit të ndeshjes, pasi ky i fundit dha penallti ndaj skuadrës së tyre në minutat e fundit të ndeshjes.
Për të folur mbi këtë temë ishte i ftuar në “Provokacija”, ish-trajneri i kombëtares së futbollit, Astrit Hafizi. Ai tha se këto ngjarje janë më të shpeshta në kategoritë e ulëta. Megjithatë, i pyetur nëse mendonte se policia duhet të ndërhynte në rastin e Kamzës, Hafizi tha se policia akoma nuk e ka kuptuar rolin e saj.
Mustafa Nano: Policia duhet të ndërhynte në Kamëz?
Astrit Hafizi: Policia nuk e kupton pse rri jashtë? Rri jashtë dhe është marrë vendim që nëse do kesh probleme ti do futesh. Po kush e lajmëron këtë që rri jashtë. Policia si në rastin e fundit ecte me hap rreshtor. Arbitri po u dhunonte, ata ecnin avash-avash. Ai nuk e di se ndërhyrja duhet të jetë shumë e shpejtë. Nuk ka nevojë pse të rrijë jashtë përgjegjësi i tyre. Ai mund të futet në stadium dhe shikon rastin si po shkon dhe lajmëron vartësit e tij. Kjo nuk kuptohet. Akoma nuk e dimë pozicionin e tyre.
Sipas Hafizit, në rastin e Kamzës arbitri dha penallti me të drejtë. Megjithatë ai theksoi se në shumë raste arbitrat kanë qenë personazhi negativ i ndeshjeve, por kjo nuk është arsye për të ushtruar dhunë mbi ta.
“Po t’i referohemi rastit të fundit unë mendoj se arbitri kishte të drejtë. Penalltia ishte penallti. Në anën teknike profesionale ishte e drejtë. A kanë dhen herë t tjera penallti të paqena ke sa të duash. Këtu pastaj bëhet dhe të papranueshëm nga klubet sepse i kanë provuar këto gjëra. Janë mundur në minutat e fundit. Janë bërë gola offside, të paqena. Kanë fajin e tyre se edhe janë përkëdhel ndoshta nga presidentë të veçantë”, tha Hafizi.
Ai nënvizoi se ekipet të cilat ushtrojnë dhunë në kampionate serioze rrezikojnë përjashtim nga kampionati, ndryshe nga ç’ndodh në Shqipëri.
“Padiskutim përjashtohet gjithmonë nga aktiviteti. Shkrihet klubi. Nëse e përjashton për një vit siç ka ndodhur, ai kthehet përsëri pas dy vjetëve, tre vjetëve dhe të futet prapë në Superligë. Siç po ndodh. Afër kemi disa skuadra që janë dënuar dhe janë gati për të hyrë në Superligë prapë. Duhet të përjashtohet përgjithmonë mendoj unë”, tha Hafizi./abcnews.al