Zgjedhjet kanë katër muaj që janë zhvilluar por kompania postare që shpërndau fletët e votimit në diasporë, nuk ka marrë ende asnjë pagesë.
Nëpërmjet një shkrese që mban datën 1 shtator, DHL, i kërkon Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pagesën prej 863 milionë lekësh deri në fund të muajit shtator ose në të kundërt do të duhet të paguajë 26 milionë lekë kamatëvonesa.
Në përgjigje të ABC News, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve konfirmon që nuk i ka dhënë asnjë qindarkë operatorit ndërkombëtar postar dhe se po verifikon protokollet e ndjekura prej tij nëse janë në përputhje me klauzolat kontraktuale.
“Ju informojmë se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka disbursuar ende asnjë pagesë ndaj kontraktorit. Gjithashtu, raporti i zbatimit të kontratës nuk është finalizuar për shkak të vëllimit të madh të të dhënave që kërkojnë përpunim dhe angazhimit të stafit në procesin e numërimit/vlerësimit të votave nga jashtë vendit, trajtimit të ankimimeve”
Në nisje të përgatitjeve për parlamentaret e 11 majit, kryekomisioneri Celibashi, siguroi se DHL ishte kompania më e mirë postare por jo në pak raste, me vendimet e tij, I dha shkak opozitës të akuzoje për manipulim mes kompanisë, kryesisht për votat që erdhën nga Greqia. Ai tha se kompania nuk do t’i marrë paratë pa depozituar në KQZ fatura të detajuara për çdo shtet sëbashku me një kopje të firmave të emigrantëve që kanë tërhequr zarfet.
Por përtej kontestimeve që e shoqëruan ky proces ishte historik. Për herë të parë rreth 200 mijë shqiptare, që jetojnë e punojnë në mbarë botën, ushtruan të drejtën e votës në 11 maj, duke shënuar kështu jo vetëm një sukses jo por edhe politik. Edhe pse votat e tyre ndikuan vetëm në një mandate, të 83-tin për PS-në, pasi 82 i fitoi me votat brenda Shqipërisë.

