Mbi 70 gazetarë dhe pjesëtarë të stafit të ueb-faqes së lajmeve Index në Hungari dhanë dorëheqjen në shenje protestë kundër largimit të kryeredaktorit.
Index.hu është media e fundit e pavarur në Hungari dhe kryeredaktori i saj, Szabolcs Dull, është shkarkuar të martën, pas një mosmarrëveshjeje me stafin editorial për një riorganizim të propozuar të redaksisë.
Disa orë më vonë pas shkarkimit, protestuesit u mblodhën në Budapest për të kërkuar liri në media. Gjatë dekadës së fundit, mbështetësit e kryeministrit nacionalist dhe konservator të Hungarisë, Viktor Orban, e kanë marrë gradualisht kontrollin mbi mediat në këtë vend.
Index.hu ka qenë prej kohësh në shënjestër të Orbanit, i cili e ka quajtur atë “fabrikë të lajmeve të rreme”.
Në raportin e fundit vjetor të organizatës Reporterët pa Kufij, që vlerëson lirinë e mediave në botë, Hungaria është renditur e 89-ta në mesin e 180 vendeve./abcnews.al