Dhjetëra refugjatë ukrainas detyrohen të flenë në rrugët e Hungarisë, pas një ndryshimi ligjor

schedule19:45 - 22 Gusht, 2024

schedule 19:45 - 22 Gusht, 2024

Dhjetëra refugjatë ukrainas, shumica e të cilëve fëmijë, e kaluan natën duke fjetur në rrugë në Hungari, pasi Qeveria hungareze vendosi të mos paguajë më për strehimin e tyre.

Refugjatët u dëbuan në rrugë, për shkak të një dekreti të nënshkruar nga kryeministri nacionalist Viktor Orban, i cili hyri në fuqi më 21 gusht.

Dekreti e kufizon mbështetjen e shtetit për refugjatët që kanë shkuar në Hungari nga pjesë të Ukrainës, për të cilat Budapesti thotë se nuk janë të prekura nga pushimi i plotë dhe nga lufta që i ka nxitur Rusia.

“Prej se u publikua dekreti i Qeverisë, ne i kemi paralajmëruar vazhdimisht palët e përfshira dhe organizatat civile për këtë problem, me shpresën se do të ketë ndonjë zgjidhje. Kjo nuk duhet të ndodhë në një shtet të bazuar në sundim të ligjit”, tha për REL-in Magdolna Szecsi, eksperte në Fondacionin e Kolegjit Civil në Hungari.

Szecsi tha se shumë prej atyre që u nxorën në rrugë janë nga rajoni i Transkarpateve, të cilët nuk duan të kthehen në Ukrainë, ku kushtet e tyre të jetesës janë “çnjerëzore”. Në Transkarpati, në perëndim të Ukrainës, jeton një komunitet i madh etnik hungarez.

Prej se u zhvendosën në Hungari, sipas saj, ata filluan të integrohen duke i dërguar fëmijët e tyre në shkollë dhe duke punuar. Megjithatë, pa ndihmë shtetërore për strehim, ata nuk mund të paguajnë një vend për të jetuar.

“Nuk e di se çfarë zgjidhje mund të gjendet, por është e sigurt se këta njerëz nuk duan të largohen nga këtu”, shtoi ajo.

Sipas Qeverisë hungareze, 13 rajone në Ukrainë aktualisht pranohen si të prekura drejtpërdrejt nga lufta. Derisa të gjitha pjesët e Ukrainës kanë qenë në shënjestrën e sulmeve nga Rusia, vija e parë e frontit të luftës kalon kryesisht nëpër pjesët lindore dhe jugore të vendit.

Norbert Pal, komisionari qeveritar përgjegjës për ata që kanë ikur nga Ukraina, tha se dekreti është “i arsyeshëm dhe proporcional” dhe se ata që “donin ta merrnin veten në Hungari, kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë”.

Javën e kaluar, agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, shprehu “shqetësim” për ligjin duke thënë se deri në 3.000 ukrainas mund të humbasin qasje në strehimin e paguar.

“UNHCR vazhdimisht u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që të interpretojnë dhe zbatojnë Direktivën e Mbrojtjes së Përkohshme në mënyrë të pandërprerë dhe gjithëpërfshirëse. Direktiva gjithashtu kërkon që Hungaria t’u sigurojë atyre me status azili strehim dhe strehim të përshtatshëm,” tha ajo në një deklaratë.

“Rrjedhimisht, UNHCR i kërkon Qeverisë hungareze të rishikojë amendamentin aktual. Të gjitha ndryshimet në lidhje me akomodimin kolektiv duhet të jenë graduale dhe duhet të merren masa adekuate për të parandaluar që dikush të mbetet i pastrehë ose të detyrohet të jetojë në skamje si rezultat i ndryshimeve,” shtoi ai./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!