Partizani kërkon kthesën dhe të dielën duhet të mposhtë Tiranën e motivuar për t’u hakmarrë. Të kuqtë në këtë ndeshje rrezikojnë të jenë pa dy titullarë të rëndësishëm. Rumuni Deian Boldor ishte programuar titullar me Bylisin, por një dëmtim në momentet e fundit e la jashtë.
Ai ende rrezikon të humbasë edhe derbin, çka për trajnerin Franco Lerda është një shqetësim i madh. Italiani do e donte në fushë mbrojtësin dhe mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë dot. Për të mos mjaftuar Boldor, ndaj ballshiotëve pati edhe një dëmtim tjetër.
Bruno Telushi luajti vetëm 20 minuta dhe i la vendin brazilianit William Cordeiro. Vlonjati gjithashtu është në dyshim për ndeshjen me Tiranën, që nuk do të donte në asnjë mënyrë ta humbiste. Për stafin teknik duhet thënë se alternativat nuk mungojnë, por lojtarë të tillë me eksperiencë janë të nevojshëm në një derbi. /abcnews.al