“Dhashë dorëheqjen”, Dede zbulon bisedën e kryer me presidenti Halili

schedule19:22 - 25 Janar, 2021

schedule 19:22 - 25 Janar, 2021

Nevil Dede u largua nga Tirana pak para fillimit të ndeshjes së sotme ndaj Laçit. Trajneri ka sqaruar gjithçka në një lidhje direkte me Supersport, aty ku zbulon edhe bisedën e bërë me presidentin Refik Halili.

Nuk e kam bërë ekipin unë. Unë nuk vajta te Tirana nga rruga se isha pa punë. Drejtoja Kombëtaren e 19 vjeçarëve dhe vendosa të filloj një projekt të ri. Unë nuk i gjej dot të vërtetat. Nuk është e vërtetë që kam pasur debat me Refikun (presidenti Halili) dje.

Në stadium ishim gati për ndeshjen, në momentin e fundit Halili më takoi dhe më tha që nuk ishte dakord me zgjedhjet e mia për formacionin. I thashë që është më mirë që unë të iki dhe ti të vazhdosh në strategjinë dhe planin që ke në mendje. Nuk kemi të njëjtat mendime. Kam dhënë dorëheqjen.

Kontrata me Tiranen ishte në të bardhë, nuk do t’i marr asgjë Tiranës. Kam vajtur te Tirana për të zhvilluar dhe për t’i dhënë frymëmarrje akademike edhe klubit. Gjeta lojtarë shumë të mirë, me shumë cilësi. Kishim probleme me mungesat, mendoja që do të ishim të fortë dhe kompetitiv. Nuk ka asnjë penalitet klubi nga largimi im. Kam vajtur për të zhvilluar veten dhe klubin.

Kam dashur të zhvilloj të rinjtë tanë, para të ardhurve nga jashtë. Nuk kam pasur probleme deri më sot, vetëm sot Refiku nuk kishte besim të plotë në zgjedhjet e mia. Ndërhyrje në formacion? Halili nuk ka ndërhyrë asnjëherë, vetëm sot, që kishte mungesë të theksuar besimi. Nuk dua të bëhem precedent si trajner. Jeta do të vazhdojë. Kam qenë i detyruar të bëj formacionin në bazë të lojtarëve që kam pasur.

Nevil Dede nuk është më i madh se Tirana. Populli bardheblu është më i madh se çdo klub tjetër. Aseti më i madh i Tiranës janë tifozët dhe akademia. Kemi shumë lojtarë të huaj që janë pjesë e kombëtareve respektive, por në fund mendoj që duhet t’i japim lojtarëve tanë më shumë mundësi.

Nuk flisnim me të njëjtën gjuhë dhe nuk kishim të njëjtën gjuhë me klubin. Unë mendova se do të kishim për dy vite një kontratë me projektin që kisha në mendje. Por nuk u realizua dhe e mbyllëm këtu. Humbja me Laçin? E pashë ndeshjen si tifoz dhe mendoj se e meritonim ne fitoren“, deklaroi Nevil Dede. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!