Avdjol Dobi shpallet në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare. Për të prangosur përfaqësuesin e “DH Albania”, i cili fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë euro me dokumenta të falsifikuara, uniformat blu kërkojnë ndihmën e Europol dhe Interpol.
Pasi refuzoi tre herë prokuroinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje, Avdjol Dobi, përfaqësuesi i kompanisë “DH Albania”, shpallet në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit. I riu fitoi dy tendera me vlerë 30 milon euro me dokumenta të falsifikuara, ndërsa nga sistemi TIMS rezulton se ai nuk ka dalë nga vendi ynë, të paktën jo me emrin e tij në pikat e kalimit kufitar.
Për të rënë në gjurmët e 26-vjeçarit, uniformat blu kërkojnë ndihmën e partnerëve të saj, Interpol dhe Europol. Kompania “DH Albania” e cila u krijua nga Avdjol Dobi fitoi lotin e parë të “Unazës së Madhe” në Tiranë me vlerë 18 milionë euro dhe 12 milionë euro për ndërtimin e një linje të tensionit të lartë Burrel-Peshkopi, aktualisht të anuluar.
Në janar Prokuroria mori në pyetje anëtarët e Komisionit të vlersimit të Ofertave në ARRSH dhe në OST. Pas tyre në pyetje u morën edhe dy ish-drejtuesit e këtyre institucioneve, Afrim Qëndro dhe Klodian Gradeci. Sipas prokurorisë së Tiranës, “DH Albania” ka falsifikuar 4 dokumente zyrtare të shtetit të Delawerit në SHBA, vend ku është themeluar kompania mëmë “Dunëell Huberman”. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal për 4 vepra; shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera, falsifikim dokuemtash dhe mashtrim. /abcnews.al