DFB Pokal/ Prishet “magjia” Saarbrucken, në finalen e Kupës arrin Kaiserslautern

schedule17:16 - 3 Prill, 2024

schedule 17:16 - 3 Prill, 2024

Nuk ka garë futbolli me më shumë tronditje. Kupa e Gjermanisë mund të quhet edhe Kupa e surprizave, ndonëse këtë mesjavë nuk qenka e thënë që të ndodhin. Të paktën, jo në gjysmëfinalen e parë. I mbiquajturi “liliputi”, “Davidi” apo “hirushja” e sezonit, ekipi modest Saarbrucken nuk e shkaktoi viktimën e katërt radhazi.

Pas Bayern, Eintracht Frankfurt e Borussia Monchengladbahc, nuk erdhi eliminimi i Kaiserslautern. Skuadra, dikur e famshme arriti finalen e parë pas 21 vjetësh, falë golave të shënuar pas pushimit nga Marlon Ritter dhe Almamy Toure.

Mbi 16 000 tifozë të zjarrtë kishin mbushur stadiumin “Ludëigspark Stadion”, veçse të besuarit e trajnerit Rudiger Ziehl nuk ia dolën. Natyrisht, një ekip i kategorisë së tretë edhe kaq ka bërë shumë.

Kaiserslautern padyshim është emër i shquar në Gjermani, 4 herë kampion e dy herë fitues i Kupës. Saarbrucken e ka shkruar emrin në histori, pasi në Kupë mundi 2-1 Karlsruhen, 2-1 Bayern Munich, 2-0 Eintracht Frankfurt dhe 2-1 Borussia Monchengladbach. Sonte, Leverkusen do të synojë finalen në përballjen ndaj Dusseldorf, që e luan në fushën e vet. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!