Dezinformimi në prag të zgjedhjeve, BE nis hetim ndaj Facebook dhe Instagram për shkelje të rregullave

schedule15:34 - 30 Prill, 2024

schedule 15:34 - 30 Prill, 2024

Komisioni Evropian ka hapur një hetim kundër Instagram dhe Facebook, të dyshuar për mospërmbushje të detyrimeve të tyre për të luftuar dezinformimin përpara zgjedhjeve evropiane në qershor. Komisioni ka frikë se dy mediat sociale mund të manipulojnë disi zgjedhjet duke ndikuar tek votuesit me opinione anti-ukrainase dhe pro-ruse.

Komisioni ka nisur procedurat zyrtare për të vlerësuar nëse Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, mund të ketë shkelur Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA). Shkeljet e supozuara kanë të bëjnë me politikat dhe praktikat e Metës në lidhje me reklamat mashtruese dhe përmbajtjen politike në shërbimet e saj, fushatat e dezinformimit dhe sjelljet e koordinuara joautentike në BE.

“Ne dyshojmë se moderimi i Meta-s është i pamjaftueshëm, se i mungon transparenca e reklamave dhe procedurat e moderimit të përmbajtjes. Kështu që sot kemi hapur procedimin ndaj Meta-s për të vlerësuar pajtueshmërinë e tyre me Ligjin e Shërbimeve Dixhitale”, tha në një deklaratë shefja dixhitale e BE-së Margrethe Vestager.

Meta, e cila ka më shumë se 250 milionë përdorues aktivë mujorë në Bashkimin Evropian, mbrojti procesin e saj.

“Ne kemi një proces të mirëpërcaktuar për identifikimin dhe zbutjen e rreziqeve në platformat tona. Ne mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me Komisionin Evropian dhe t’i ofrojmë atyre detaje të mëtejshme të kësaj pune,” tha një zëdhënës./abcnews.al