Devolli Corporation, një nga kompanitë më të mëdha dhe më të njohura në rajon për prodhimin dhe përpunimin e kafes, po përfaqëson me krenari industrinë kosovare në një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare të sektorit të produkteve ushqimore dhe private label – Panairi PLMA 2025 në Amsterdam.
Pjesëmarrja në këtë panair prestigjioz vjen si vazhdimësi e përkushtimit të Devolli Corporation për inovacion, cilësi dhe zgjerim në tregjet evropiane dhe globale.

Vizitorët e panairit kanë mundësinë të shijojnë disa nga produktet më cilësore të kafes të prodhuara në Kosovë, përfshirë brendin e njohur Prince Cafee, i cili po fiton gjithnjë e më shumë njohje ndërkombëtare.

“Jemi të nderuar të jemi pjesë e PLMA 2025, ku mund të prezantojmë punën dhe standardet tona përballë një audience profesionale globale. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar bashkëpunime të reja dhe për të konsoliduar pozicionin e brendeve tona në tregjet ndërkombëtare,” deklaroi përfaqësuesi i kompanisë.

Panairi PLMA (Private Label Manufacturers Association) mbledh çdo vit mijëra ekspozues dhe vizitorë nga e gjithë bota, duke ofruar një platformë të veçantë për prezantimin e produkteve inovative, zhvillimin e rrjeteve tregtare dhe forcimin e identitetit të brendeve. Pjesëmarrja e Devolli Corporation në këtë panair është një tregues i qartë i ambicieve të kompanisë për të qenë konkurrent serioz në tregun ndërkombëtar të kafes dhe për të promovuar cilësinë “Made in Kosovo”.



