Devolli: Besoj te rezultati pozitiv nesër. Trajneri i ri? Këto zëra s’më shqetësojnë

schedule13:07 - 7 Mars, 2022

schedule 13:07 - 7 Mars, 2022

Dinamo do të udhëtojë në Korçë për tu përballur me Skënderbeun në një sfidë direkte për mbijetesë, e cila do të luhet ditën e nesërme në orën 16:45.

Blutë e kryeqytetit do të kërkojnë fitoren për të dalë nga kriza e rezultateve negative, ndërsa ka 3 pikë më shumë se kundërshtari i tyre.

Në konferencën për shtyp trajneri Bledar Devolli ka folur për përballjen me korçarët, ndërsa nuk shqetësohet aspak për zërat se një trajner italian mund t’i zërë vendin.

Skënderbeu – “Nesër është ndeshje shumë e vështirë ndaj një Skënderbeu që di të luajë futboll dhe në fushën e vet ata janë shumë të fortë. Kam frikë terrenin sepse mund të jetë i vështirë, kemi punuar mirë dhe me qetësi këtë javë dhe shpresojmë që nesër të na shpërblehet ky mund.

Do të doja të ishte një ndeshje me pozita të kundërta: si Dinamo dhe Skënderbeu i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar. Këto janë kushtet dhe duhet të fitojmë nesër ndërkohë që i japim një ‘grusht’ rivalit tonë direkt dhe të shohim vetëm përpara”.

Gjendja e skuadrës – “E rëndësishme është që po luajmë mirë. Kjo më bën optimist sepse duhet ta nisim nga pjesa e dytë ndaj Vllaznisë, që ekipi ka forcë, ka cilësi, shkojmë te porta dhe duhet të bëjmë ato gjëra si ndaj Vllaznisë, nëse i bëjmë besoj se edhe kthesa e pikët do të vijnë”.

Mungesat – “Kemi dy mungesa: Eni Imami dhe Rexhinaldo që shpresoj t’i kemi javës tjetër. Pjesa tjetër është në rregull. Maliqi dhe Simoni janë rikthyer në grup dhe nesër të bëjmë atë lojë që kemi bërë në stërvitje dhe me pak fat shpresojmë të vijë rezultati”.

Pankina në rrezik – “Mua nuk më shqetësojnë fare zërat, shoh punën dhe skuadrën time, por nuk do të ishte mirë në këtë situatë ku jemi dhe për ekipin. Jam besimplotë që çdo gjë do të shkojë në rregull”, ka thënë Bledar Devolli. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!